Basketbolli i femrave, plotësohen emrat e çerekfinalisteve

26/09/2018 11:38

Belgjika, Kanadaja dhe Australia janë skuadrat që iu bashkuan Shteteve të Bashkuara në çerekfinalet e Botërorit të basketbollit për femra, që po zhvillohet në Spanjë.

Skuadra belge bëri surprizën, teksa mundi Spanjën organizatore të turneut me rezultatin 72-63, duke u renditur në vendin e parë në grupin C e duke fituar të drejtën për të qenë mes 8 më të mirave të turneut.

Belgjika zhvilloi një lojë më të mirë sesa ekipi spanjoll, aty ku ajo që spikati më shumë ishe Emma Meesseman me 19 pikë, 8 topa në tabelë dhe 2 asiste.

Kanadaja është skuadra fituese e grupit A, pasi mposhti në sfidën e fundit Francën me rezultatin 71-60. U duk se Franca do ta kishte të lehtë këtë ndeshje, duke parë se e fitoi periodën e parë 25-12, por Kanadaja diti të reagojë dhe në tri periodat e tjera vendosi diktatin e saj, duke fituar krejt ndeshjen me 11 pikë diferencë.

Raincock-Ekunwe ishte më e mira në parket për basketbollistet kanadeze, me 13 pikë të shënuara e 10 topa në tabelë.

Australia është fituese e grupit B, me 6 pikë, dhe për pasojë edhe një prej çerekfinalisteve të Botërorit. Skuadra australiane mposhti Turqinë me rezultatin 90-64. Ky i fundit ishte një takim që u dominua totalisht nga basketbollistet australiane, gjë që e tregon edhe diferenca prej 26 pikësh në rezultatin përfundimtar të tij.

Liz Cambage ishte ajo që u dallua më shumë në parket, teksa e mbylli ndeshjen me 25 pikë personale.

Top Channel