Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në emisionin “Top Talk, të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, u shpreh i bindur se nisma e PD-së për goditjen e oligarkëve nuk ka asnjë mundësi që t’i kthehet kundër vetë nismëtarëve.
“Në asnjë mënyrë nuk i trembemi. Nëse ka brenda PD-së deputetë, ish-ministra apo dhe anëtarë që kanë bërë diçka dhe duhet t’i tremben, le t’i tremben. Vetëm ata që kanë çfarë të fshehin duhet t’i tremben”, deklaroi Shehaj.
Deputeti shtoi në studion e emisionit “Top Talk” se korrupsioni nuk mund të zhduket, por mund të ulet: “Korrupsion ka kudo dhe ne nuk themi që do ta zhdukim, por do ta luftojmë e do ta ulim. Duhet të shohim se si e gjeti Shqipërinë Edi Rama dhe se si është ajo sot. Të gjithë treguesit janë përkeqësuar. Aplikimet për Lotarinë Amerikane në vitin 2013 kanë qenë 140 000, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë mbi 400 000 aplikime. Ky është tregues”.
“Nëse shoh një ministër me rrogë 2 milionë lekë dhe del me makinë 200 000 euro, nuk ka nevojë për prova të tjera. Kështu mendojnë edhe të gjithë shqiptarët”, nënvizoi Shehaj.
Top Channel