Manchester United barazoi 1-1 në “Old Trafford” ndaj Wolverhampton, një ndeshje që pritej ta fitonte pa vështirësi, dhe Paul Pogba nuk ngurroi që për këtë dështim të fajësonte, edhe pse jo drejtpërdrejtë, trajnerin Jose Mourinho.
“Luanim në shtëpi dhe duhet të kishim zhvilluar një lojë shumë më të mirë ndaj Wolves. Kur luajmë në shtëpi duhet të sulmojmë, të sulmojmë dhe të sulmojmë. Ky është “Old Trafford”. Kur jemi këtu, duhet të sulmojmë. Mendoj se kundërshtarët tremben më shumë kur ne sulmojmë”, tha mesfushori francez.
Futbollisti nuk guxoi ta kritikonte direkt trajnerin portugez, por bëri të qartë se skuadra duhet të luajë ndryshe: “Unë nuk jam trajneri i ekipit, por duhet të tregojmë që kemi më shumë variante loje. Kështu e mendoj unë. Duhet të lëvizim më shumë dhe më mirë”.
Jose Mourinho është në telashe tashmë, pasi e sheh veten 8 pikë larg kryesuesve të kampionatit anglez, Liverpulit, dhe zërat për një kthim në pankinë të Zinedine Zidane rriten sa herë që United humb pikë.
Top Channel