Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit shkruan DW.
Vendimin e ka marrë Vuçiç, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovën Marko Gjuriç, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vuçiçit atje.
Ndërkohë që Vuçiç nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiç. Gjuriç shpjegoi se Vuçiç ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide. Gjuriç tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, ndaj Gjuriç tha se në Bruksel “Tani do të presin edhe ca kohë deri sa Vuçiç të shkojë në takimin e ardhshëm”.
Por, përse është zemëruar presidenti? Nëse bëhet fjalë për idetë e tij mbi kufijtë me Kosovën, atëherë nuk mund të kuptohet saktë se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriç.
Ideja e ndryshimit apo shkëmbimit të kufijve nuk është pritur me shumë entuziazëm, por nuk mund të thuhet se për këtë shkak Vuçiç është sulmuar. Disa vende sidoqoftë kanë pasur edhe mirëkuptim për këto ide.
Analistët mendojnë se ky skenar është vetëm një truk për opinionin e brendshëm në serbi që duhet të bindë serbët se Vuçiç ka bërë gjithçka ka mundur por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme ti pranojë kërkesat. E kur të vijë koha e marrëveshjes me Kosovën mund të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, pasi zgjidhje tjetër nuk ka.
Top Channel