Obeziteti pritet t’ia kalojë duhanpirjes si një nga shkaqet kryesore të kancerit tek gratë deri në 2043. Parashikimi është bërë nga një qendër kërkimesh për kancerin në Britaninë e Madhe ku aktualisht 12 për qind e rasteve të kancerit tek gratë janë të lidhura me duhanpirjen dhe 7 për qind me mbipeshën apo obezitetin.
Por, me numrin e duhanpirësve që po bie dhe me shkallën e obezitetit në rritje, studiuesit vlerësojnë se hendeku mes këtyre dy shkaktarëve do të zhduket në harkun kohor të 25 viteve. Dhe shifra është përllogaritur mbi besimin se tendenca aktuale do të vazhdojë.
Sipas studimit, deri në 2035, 10 për qind e rasteve të kencerit tek gratë do të lidhet me duhanpirjen dhe 9 për qind me peshën e tepruar dhe në 2043, nëse trendi vazhdon, mbipesha dhe obeziteti do të lidhet me më shumë raste kanceri tek gratë krahasuar me duhanin.
Edhe pse obeziteti është i zakonshëm edhe mes meshkujve, tek femrat ai mendohet se është një shkaktar më i mundshëm i kancerit. Sidoqoftë, sipas ekspertëve, lufta duhet të vijojë në të dyja frontet, si kundër duhanpirjes ashtu edhe kundër obezitetit.
Top Channel