Botërori i volejbollit, Itali, Brazil, SHBA në “final six”

23/09/2018 12:50

Italia është një prej skuadrave që kanë siguruar vendin në “Final Six” të kampionatit Botëror të volejbollit për meshkuj që po mbahet pikërisht në Itali dhe Bullgari.

Në raundin e dytë të këtij kampionati, skuadra e Të kaltërve u përball me Rusinë ndaj së cilës pësoi humbjen e parë në këtë eveniment me rezultatin 3-2. Pavarësisht kësaj humbje, Italia e siguroi vendin e parë në Grupin E falë 2 seteve të fituara ndaj Rusisë, por edhe falë humbjes së Bullgarisë ndaj SHBA 0-3.

Edhe skuadra amerikane arriti të presë biletën për në fazën e Final Six pasi siguroi vendin e parë në grupin G. Në të vërtetë, SHBA me suksesin ndaj Bullgarisë në sfidën e zhvilluar në Sofje, regjistroi fitoren e 7 radhazi dhe është e vetmja skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje deri tani në këtë botëror.

Brazili është skuadra tjetër që preu biletën për në raundin e tretë të kampionatit pasi fitoi ndaj Sllovenisë 3-0 për të bërë të tijin vendin e parë në Grupin F. Kjo e kësaj të shtune ishte e para përballje mes këtyre dy skuadrave dhe Brazili e dominoi takimin siç e tregon edhe rezultati i sfidës.

Serbia është skuadra e katërt që un kualifikua për në Final Six pasi mundi Argjentinën 3-0 duke siguruar vendin e parë në Grupin H duke i mbyllur setet 25-18; 25-22; 25-22. Këtyre 4 skuadrave në fazën e tretë do t’u bashkohen edhe 2 ekipet më të mira të vendeve të dyta. Në Final Six, skuadrat e kualifikuara do të ndahen në 2 grupe me 3 ekipe secili dhe 2 të parat e çdo grupi do të kalojnë në gjysmëfinale.

Top Channel