Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar pas ndalimit nga Policia e Shtetit të trajnerit të përfaqësueses shqiptare të futbollit të femrave, Armir Grima, si i lidhur me grupin kriminal “Bajri” në Shkodër.
FSHF i bën thirrje opinionit sportiv që të mos dalë në përfundime të parakohshme për “një njeri të shkëlqyer dhe me reputacion në qytetin verior”.
“Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me ngjarjen e fundit të komunikuar zyrtarisht nga ana e Policisë së Shtetit, për ndalimin e z.Armir Grima, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të femrave të futbollit. FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen e trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës, që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë. Një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, për sa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj. FSHF do të ndjekë me shumë qetësi dhe seriozitet ecurinë e kësaj ngjarjeje, duke ftuar njëherësh të gjithë të presin mbylljen e procesit dhe të frenojnë emotivitetin e tyre momental karshi Grimës, që mbetet një familjar i shkëlqyer dhe një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambientin e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm”, lexohet në reagimin e FSHF-së.
Top Channel