Pas këmbanës së alarmit nga ana e Amnesty International dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, përsa i përket kushteve të tmerrshme dhe të rrezikshme të krijuara në qendrat e mbipopulluara të ishujve greke për emigrantët, qeveria greke ka filluar transferimin e tyre në qendrat e pritjes në Greqinë kontinentale.
Sipas agjencive ndërkombëtare numri i fëmijëve të pashoqëruar në kampet e ishujve është rritur me 30% nga viti i kaluar, ndërsa mbi 80% e 20.500 emigrantëve që strehohen në to, jetojnë në kushte të papranueshme higjenike, pasi 70 persona ndajnë një banjë të vetme.
Kreu i personelit gjerman në Mitilini për Mjekët pa Kufij, Florian Westfal deklaron se shumica e fëmijeve që ndodhen në kampin e Morias, të ardhur nga zonat e luftës, tashmë janë përsëri të pambrojtur, në një qendër ku në orët e vona të natës regjistrohen trazira e përdhunime. Të paktën katër prej tyre kanë tentuar të vetëvriten në javen e fundit- ka thënë ai.
“Kushtet në këto kampe janë të tmerrshme për çdo fëmijë të pashoqeruar dhe çdo kamp refugjatësh në mbarë botën është një situatë e tmerrshme për fëmijën. Dhe fëmijët janë të ekspozuar ndaj çdo lloj kërcënimi: kërcënimeve të drejtpërdrejta; abuzimit, dhunës, trazirave”, thotë Lucio Melandri, Koordinator UNICEF.
Sipas Agjencisë në Gjenevë gjendja krahasohet me një bombë që pritet të shpërthejë nga çasti në çast dhe autoritetet dhe populli grek të cilët kanë bërë aq sa munden për të ndihmuar të ardhurit e pambrojtur, nuk mund të përballojne më këtë situatë pa ndihmën e BE.
“Me kapacitet për të pritur 3.100 njerëz, qendra në Moria mban sot rreth 9.000 persona, midis tyre me shumë se 1700 fëmijë. Qendra në Samos, e cila është ndërtuar për 650 vetë, tani ka 680 fëmijë, dhe me shume se 4.000 njerëz”, thotë Melandri.
Per te lehtesuar sadopak kampin e Morias, autoritetet greke transferuan dje 100 nga 1200 refugjatet qe do strehohen ne nje qender te re pritjeje prane Selanikut, ndersa rreth 800 te tjere do te cohen ne Kavala dhe Janine.
Top Channel