Qeveria ka zyrtarizuar tenderin për të dhënë me koncesion për 20 vjet kontrollin e pompave në stacionet e karburanteve. Ky shërbim, i cili aktualisht kryhet nga shteti bëhet koncesioni i dytë në fushën e karburanteve, dhe për të gjithë periudhën 20 vjeçare pritet të gjenerojë të paktën 50 milionë euro të ardhura. Këto para do të paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës dhe benzinës.
Qeveria ka hapur zyrtarisht tenderin për të dhënë me koncesion kolaudimin e pompave të karburantenteve. Sipas dokumentave zyrtarë të publikuar në agjencinë e prokurimeve, tenderi do të zhvillohet në 18 tetor dhe kompania që do të shpallet fituese do të marrë për 20 vjet monopolin e kontrollit për të gjitha pompat e karburanteve dhe të gazit.
Koncesioni për kontrollin e pompave të karburanteve ka lindur përmes një oferte e pakërkuar nga një kompani private e quajtur NOA Control. Propozimi u miratua nga qeveria, e cila paralelisht e shpërbleu kompaninë Noa control me një bonus sa 10 për qind e pikëve, çka e bën atë të avantazhuar në tenderin, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm..
Kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve është një shërbim, i cili aktualisht kryhet nga drejtoria e përgjithshme e metrologjisë. Sipas ligjit shqiptar, çdo pompë furnizimi në pikat e karburanteve duhet të kolaudohet një herë në 6 muaj, për të verifikuar volumin dhe elementët e sigurisë Për këtë shërbim pikat e karburanteve paguajnë 14 mijë lekë në vit për pompë, para të cilat shkojnë në buxhetin e shtetit.
Por me dhënien e këti shërbimi me koncesion, paratë do të përfundojnë në arkën e privatit. Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel se, në total ky aktivitet gjeneron 2 deri në 3 milionë euro të ardhura në vit dhe për 20 vitet e koncesionit kompania private që do të shpallet fituese pritet të arkëtojë rreth 50 milionë euro Ky është koncesioni i dytë në fushën e karburanteve, pas atij të markimit, kostot e të cilëve paguhen nga qytetarët në çmimin fundor të naftës dhe shkojnë si fitime për kompanitë koncesionare.
Top Channel