Gega: Flamurtari i fortë, por Partizani luan vetëm për fitore

20/09/2018 18:34

Edhe pse këtë sezonin, për Partizanin ka munguar “zhurma” e zakonshme në nisje të kampionatit, sërish “të kuqtë” janë vetëm një fitore larg vendit të parë.

Këtë javë, Partizani do të ketë një ndeshje delikate ndaj Flamurtarit dhe përpara kësaj sfide, trajneri Gega e pranon se vlonjatët janë një skuadër e fortë, por nuk trembet.

“Flamurtari vjen nga një humbje ndërsa ne vijmë nga një barazim. Besoj që ata kanë forca për të kaluar këtë moment dhe do vijnë për të marrë maksimumin. E dimë forcën e tyre dhe tonën por ne hyjmë në fushë për fitore. Jemi në progres e sipër, është fillimi dhe kampionati nuk vendoset këtu”.

Partizani i javëve të para është shfaqur një skuadër cinike, me dy fitore minimale teksa janë shënuar vetëm 2 gola në 360 minuta lojë. Sulmi shqetëson për faktin që nuk po shënon por diçka e tillë nuk vlen për timonierin e të kuqve.

“Bëhet gjithçka për të shënuar. Ne jemi munduar me sulmuesit por nuk ka asgjë absolute. E kam sqaruar pozicionin e Hebajt dhe nëse shënojmë e bëjmë si skuadër dhe ai është pjesë e grupit. Ekipi është komod me të edhe pse flitet gjithnjë për një golashënues. Në futbollin e sotëm golat duhen shënuar nga të gjithë”.

Partizani është një skuadër që ka ndryshuar krahasuar me vitet e fundit. një ekip me djem të rinj dhe premtues që garojnë për objektiva të mëdha. Në krye të tyre është një trajner që karrierën e ka ndërtuar duke punuar me të rinjtë, duke larguar dhe presionin e rezultateve.

“Personalisht kam dëshirë të punoj me djem të rinj, duhet të thyejmë tabunë dhe t’i besojmë më shumë. Disa lojtarë ishin, disa erdhën. Nuk e kam aspak problem ti përdor në ndeshje dhe situata të ndryshme. Nuk e llogaris moshën nëse janë gati për situatat e ndryshme”.

Në javën e 6 luhet derbi i kryeqytetit, sfida e të gjitha sfidave. Pavarësisht se përpara atij 90 minutëshi do të jetë ai i javës së 5-të, duket se atmosfera ka nisur të ndizet. Një rezultat negativ përpara derbit nuk është një sinjal i mirë.

“Çdo ndeshje nëse e humbet të fut në presion. Ndaj Flamurtarit është një sfidë deçizive pasi duhet të jemi në kontakt me vendet e para. Pas 10 ditësh është situatë dhe atmosferë krejt tjetër”.

Një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadër është 20-vjeçari nga Prizreni Esat Mala. Edhe pse i ri në moshë, statusi i fituar me punë e bën të mbaj përgjegjësi mbi supe, duke iu gëzuar faktit që ndaj Flamurtarit do të rikthehet mbështetja e tifozerisë së kuqe.

“Kur luan ke përgjegjësi. Cdo lëvizje në fushë është një vlerësim për këdo. Nuk na vendos në presion prania e tifozëve por janë një shtysë. Ky është një grup i mirë dhe Partizani do të ecë shumë larg”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA