Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas thekson se Shqipëria dhe në përgjithësi vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë merituar një perspektivë reale të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por në fund vendimtare do të jetë përmbushja e kushteve te aderimit ku peshën kryesore e ka realizimi i reformave për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe qeverisje më të mirë.
Për shefin e diplomacisë gjermane, fakti që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të çelen duke nisur prej vitit 2019, tregon vlerësim ndaj përpjekjeve te bëra deri tani.
Veçanërisht reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë, në gjykimin e tij, një hap domethënës. Ne presim megjithatë që të vijohet më tej në këtë rrugë dhe të shohim suksese të dukshme, sidomos ne drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha ministri për DË.
Maas nënvizoi se mbështetja dhe promovimi që i bën Berlini perspektivës europiane të Shqipërisë motivohet edhe nga roli i saj pozitiv në stabilitetin e rajonit.
Ai madje ka përdorur për vendin tonë një përcaktim mjaft domethënës. Kryediplomati gjerman e cilëson Shqipërinë “një spirancë të stabilitetit në Ballkan”.
E duket se pikërisht këtu duhet kërkuar një arsye e forte e kësaj mbështetjeje. Për Gjermaninë, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor përbën interes strategjik të BE-së. Ndaj dhe Berlini i kundërvihet duket me aq forcë idesë se korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, që nxjerr në pah rrezikun e cenimit të kësaj qëndrueshmërie dhe mundësisë që rajoni të kthehet sërish në një “fuҫi baruti të Europës”.
Top Channel