Fiks Fare/ Hajduti:Pagova 100 mijë lekë policin për të mbyllur çështjen

19/09/2018 20:59

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës veprimet e postës policore në Manzë të Durrësit, të cilët tentuan që të manipulojnë një çështje, ku viktimën e bënë autor.

Në redaksinë e Fiksit u ankua Myrvet Lleshi, nga Sukthi, i cili tha se “kapi” hajdutin e policisë dhe, pasi njoftoi policinë, rezultoi se autori ishte nipi i një efektivi të policie. Dhe këtu fillojnë problemet për të, pasi Myrvetin e trajtojnë si autor, i bëjnë presion të mbyllë çështjen, madje i marrin telefonin dhe i fshijnë gjithçka kishte.

Gjithsesi, qytetari arriti të filmojë autorin, i cili pranoi se pagoi 100 mijë lekë të vjetra shefit të policisë që çështja të mbyllej dhe të mos shkonte në Gjykatë.

Qytetari “bëhet” polic
Në muajin gusht 2018, në zonën e Gjirit të Lalzit, Myrveti punonte si shitës ambulant. Në një moment, ai shikon se nuk e kishte celularin dhe dyshon te një tjetër shitës ambulant. “Unë e njihja këtë person si figurë, jo me emër. E takova pas gjysmë orë. E kontrollova dhe gjeta telefonin tim. Ky person quhet Sabaf Lasku, nga Dibra.

Ky person iku dhe mora policinë në telefon. Policia nuk zbatoi ligjin dhe më mori mua si hajdut dhe jo si viktima që isha. Në momentin që erdhi policia më mori me forcë, më nxori nga mbrapa furgonit, ishin 4 efektivë policie. Njëri nga ata quhet Sadik Lasku. Ky punonjës policie, personin që më vodhi telefonin e kishte djalin e xhaxhait” thotë Myrveti.

Më pas shpjegon se në vendin ku shiste i erdhën 4 ose 5 vetë të inatosur, ku njëri ishte me rroba banjo. “Ai më goditi me grushte dhe shkelma në prani të punonjësve të policisë. Nuk e kuptoja cila ishte arsyeja. Këta donin të ndërtonin një akuzë që të më nxjerrin mua kriminelin. Pasi më goditën, më hipën në bagazhin e makinës, te këmbët e mia kisha një kallashnikov me dy karikatore fishekë. Unë jam familjar, si mendoj ato marrëzira. Më çuan në policinë në Manzë, atje dëgjoja policë me njëri tjetrin, që të më bënim kallëzim të rremë. Në komisariat nuk më detyrua, po duke dëgjuar se mos më bëjnë ndonjë gjë, po nga frika u detyrova të firmosja një deklaratë që denoncimin. Në celular kisha filmuar ku autori pranoi që unë jam kam marrë telefonin dhe më kërkonte falje” thotë qytetari.

Më pas shpjegon se disa punonjës policie janë tallur me videot e tij personale dhe në fund i kanë fshirë. “Autorin e kam takuar dhe i kam bërë një videoregjistrim të dytë, e pranon që ma ka vjedhur celularin. E pranon që i ka dhënë edhe ca lekë shefit të komisariatit të policisë Manzë. E pranon se është kushëriri i punonjësit të policisë” thotë autori.

Qytetari “heton” vjedhjen
Pasi u konsiderua si autor, qytetari fillon të hetojë vjedhjen e celularit. Fillimisht ai takon personin që i vodhi celularin. Ai xhiroi të gjithë bisedën, ku autori e pranon se e ka vjedhur ai celularin, ndërsa i thotë se për të mbyllur të gjithë çështjen, që të mos shkonte në gjykatë, babai i tij i ka dhënë 100 mijë lekë të vjetra një punonjësi të policisë së Manzës. Sipas tij, celularin ia ka dhënë në rregull viktimës, por ka dëgjuar në komisariat se denoncuesi i ka regjistruar policët kur po e shoqëronin, prandaj dhe ia kanë fshirë.

Autori pranon se njërin nga policët që e shoqëroi denoncuesin në komisariat e ka kushëri. Ndërkohë, pas ngjarjes, qytetari shkon në SHKB për të denoncuar veprimet e punonjësve të policisë së Manzës. Inspektorët e SHKB-së i ngrenë zërin, madje dhe e ofendojnë, duke i thënë se çfarë ka në kokë, tru apo tallash.

Në fund, pas sorollatjes, qytetari shkon në rajonin e policisë në Manzë, ku një punonjës i thotë se ta zgjidhë më Sadikun, pasi është djalë i mirë. Më pas e takon punonjësin, Sadik Laskun, në rrugë, teksa i kërkon përse e shoqëruan dhe ushtruan dhunë ndaj tij. Punonjësi i policisë i thotë se nuk e ka nga ai të gjithë shoqërimin dhe duhet ta gjejë te personat e tjerë. I kërkon që mos t’i vijë në këtë mënyrë duke e provokuar, pasi do të ketë probleme më pas.

BISEDË MES AUTORIT DHE VIKTIMËS
Viktima – Sa lekë i dha atij (policit)?
Autori – 100 mijë lekë.
Viktima – Po më rrën mua, 100 mijë lekë ëëë?
Autori – Kështu më tha babi, unë s’di gjë, ato lekë që kam pasur me vete, kam pasur 50 mijë lekë, ja kam dhënë babit. Sa kishte pas babi me vete ja ka dhënë. Ia kemi dhënë krejt tyre. Unë qesh gjithë ditën u lodha, atyre ua dhashë.
Viktima – S’të thanë ata me mdhënë lekë mua, të më paguash dëmin?
Autori – Jo, s’më thanë.
Viktima – Po ça të thanë?
Autori – Ti je për bukë, i lumtë dora atij, bravo i qoftë që të fali. Faleminderit dhe prej teje i thashë që s’më çove në gjykatë. Faleminderit dhe prej atij i thashë, ke bërë shumë gabim, telefonin e more në dorë. Me atë telefon ke marrë policinë se ma kanë vjedh.
Viktima – E di ça dëmi më ke bërë.
Autori – Una ta dhashë në rregull telefonin. Ti more policinë. I ke bërë gropën vetes oo
Viktima – Unë i kam bërë gropës vetes?
Autori – Se të mora ty telefonin, që më vodhe telefonin ëëë?
Viktima – Po.
Autori – Unë ta dhashë në rregull telefonin, e di pse ta kanë fshirë, se ata kishin dyshime se u ke bërë video policëve, u ke bërë lloj-lloj gjërash. Bënim llafe policësh. Unë vetëm i dëgjohesha.
Viktima – Kush i fshiu videot e mia?
Autori – Ai i madhi, ai i gjati. Unë desha me pi ujë, dhe i dëgjova.
Viktima – Nga e dinte PIN-in?
Autori – Janë policë ata o shokë.
Viktima – Tani si do ja bëjmë me më dhënë lekët e dëmit?
Autori – Shkoi thuaj babit tim, s’di gjë unë.
Viktima – Kush ishin ata, ai plazhisti që më goditi?
Autori – Se di, unë njoh vetëm xhaxhanë tim, Sadikun. Dhe Hamzain. Hamzain babi im e ka shok.
Viktima – Pse i dha 100 mijë atij (policit)?
Autori – Po ashtu, 1 kafe, filloi ja përmendi 100 herë, jo për bukë, jo për këtë.
Viktima – E njihte babai jot shefin e madh?
Autori – Nuk e di, ja dhashë. Mbaruam punë.

FOTO GALERI
5/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA