Në kundërshtim me ligjin, drejtori i burimeve njerëzore në Bashkinë Burrel ka shfrytëzuar nevojën për punë të nënës së dy fëmijëve. Ai e ka detyruar që të pranojë një marrëveshje, ku dy muaj do të punonte ajo si zëvendësuese e dy muaj një tjetër. Në fund, i ka ndërprerë kontratën pa asnjë motivacion.
Nënës së dy fëmijëve i ndërpritet kontrata e punës si zëvendësuese nga bashkia, për t’u emëruar një tjetër zëvendësuese pasi kështu “do” drejtori i burimeve njerëzore. Pavarësisht se ajo që e zëvendësoi nuk i plotësonte kriteret, sipas saj, nevoja për punë e kish bërë të pranonte një marrëveshje nga halli, ku do punonin dy muaj njëra e dy muaj tjetra. Buka e fëmijëve dhe papunësia e të shoqit e shtyu që të ankohej në “Fiks Fare”, pasi drejtori nuk mbajti fjalën, duke i shkëputur kontratën me bashkinë dhe duke e lënë pa punë.
Drejtori i burimeve njerëzore i Bashkisë Burrel ka shkarkuar nga detyra zëvendësuesen Jonela Heta, e cila prej dy vjetësh zëvendësonte me ditë edukatoren me kontratë të plotë. Kur edukatorja mori raport për arsye shëndetësore, ajo u zëvendësua për rreth dy muaj nga Jonela, e cila u thirr si gjithmonë në punë nga drejtori i kopshtit. Kur raporti u kthye në leje lindje, atëherë situata u komplikua pasi ndërhyri drejtori i burimeve njerëzore në bashki, i cili kërkoi me ngulm largimin e Jonelës dhe emërimin aty të një tjetër zëvendësueseje, jashtë listës së dhënë nga Drejtoria Arsimore. Ai pretendon se ajo ishte në listën e bashkisë dhe se me zëvendësueset është bërë një marrëveshje xhentëllmenësh (siç e quan ai) që do punonte një herë njëra e një herë tjetra. Por, në fund nuk i qëndroi kësaj marrëveshjeje.
Kur Jonela i shkon, për ta takuar ai e përzë nga zyra duke i thënë që aty vendos ai. Ai i thotë “Ti kërkon më shumë se ç’të takon. Ne kishim një marrveshje, por ti e shkele se nuk pranove të ikësh me butës”..
Jonela Heta thotë për “Fiks Fare” se ka dy vjet që ka një kontratë me Bashkinë e Burrelit si zëvendësuese për edukatoret. Në muajin Mars kjo kontratë i është ndërprerë pasi në vend të saj bashkia vuri një tjetër zëvendësuese. Ajo kish pranuar edhe një marrëveshje ku dy muaj do punonte njëra dhe dy muaj tjetra. Të gjitha këto, sipas saj, i bën nevoja për të ushqyer dy fëmijët e vegjël. I shoqi është i papunë. Vetëm ajo mban shtëpinë. Është në vitin e fundit të shkollës dhe në listën e zëvendësuesve që ka dërguar Drejtoria Arsimore pranë bashkisë. Sipas saj, ajo që e ka zëvendësuar nuk është në këtë listë, pasi nuk i plotëson kriteret. Sot ajo është e papunë dhe drejtori nuk pranon t’i rilidh kontratë.
Me kameran e Fiksit ajo shkoi për t’u ballafaqur me drejtorin, i cili sapo e sheh e nxjerr jashtë me pretekstin që është i zënë. Duke i thënë se mund të presë edhe tre muaj, por edhe një vit. I mbyll derën në fytyrë. Pas 20 minutash Jonela tenton sërish dhe i kërkon të dijë se cila do të shkojë si zëvendësuese të hënën në kopsht. Ai i thotë “më lër të qetë, ditën e hënë s’ka për të shku asnji, pse ti e ndan atë punë? S’ka ç’të duhet moj ty!”
Kur ajo i thotë “ti vetë më ke thënë që ajo tjetra s’ka shkollë”, ai i hidhet duke i thënë “ti mua më përgjon? Ti s’di ta kërkosh hallin tat, pse nuk ike me qetësi? Ti duhet ta lësh punën sepse e caktojmë ne kush shkon tek puna, jo ti”.
Fiksi intervistoi Gëzim Pashën, drejtorin, i cili pranon që mes palëve kishte një marrëveshje “xhentëllmenësh”, por që nuk u zbatua nga Jonela. Ai këmbëngul se nuk kishte dijeni se ajo zëvendësonte atje dhe se vetë drejtori i shkollës e ka thirrur. Ndërkohë, që bashkia mendoi të dërgonte një tjetër që, sipas tij, pavarësisht që nuk ishte në listën e Drejtorisë Arsimore, ishte në listën e bashkisë. Ai nuk ka asnjë justifikim ligjor për zëvendësimin e zëvendësues më një tjetër zëvendësuese, por thotë se kështu e vendosi ai. Ka ndërprerë një kontratë pune, pavarësisht se nuk kishte asnjë shkelje ligjore, vërejtje për Jonelën, veç fjalëve që ai kishte dëgjuar. Dhe siç del edhe nga kamera e fshehtë, ajo ka refuzuar të largohet nga detyra duke kundërshtuar atë. Pra, nuk është larguar me qetësi. Ai nuk di të sqarojë pse zgjodhi dikë tjetër jashtë listës, për më tepër kur ajo nuk është as me shkollë të lartë, por me pedagogjike. 35 vjeç dhe që ishte larguar nga arsimi pasi nuk plotësonte kriteret.
Gazetarët telefonuan edhe drejtorin e kopshtit Shoshaj, i cili na thotë se Jonela ishte korrekte në punë, ajo nuk ka vajtur me mendjen e saj atje, por e ka thirruar ai ashtu siç kish bërë gjithmonë, pasi ajo kish një kontratë edhe me bashkinë. Unë u mundova shumë ta mbaja në atë vend pune pasi nuk është as në të mirën e fëmijëve që të ndërrojnë edukatore. Ajo nuk ka asnjë vërejtje. Por në fund ju dorëzova presionit të bashkisë.Të njëjtin mendim ndan edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Ariana Rami, e cila thotë se kjo situatë duhet të marrë zgjidhje. Nuk është normal zëvendësimi i një zëvendësuesje me një tjetër. Aq më tepër kur ajo nuk është në listën që ne i kemi dërguar bashkisë për zëvendesueset pasi nuk i plotëson kriteret për ta bërë punën e edukatores.
E gjithë kjo amulli dhe shkelje ligjore, ka ardhur si pasojë e kalimit para dy vjetësh të pagesave të këtyre kategorive nga drejtoritë arsimore tek bashkitë. Drejtoritë arsimore i vunë në dispozicion bashkive listat e zëvendësuesve dhe këto të fundit lidhën kontrata me to. Por që nga qershori i këtij viti, sipas rregullores së miratuar nga ministria e Arsimit, bashkitë nuk mund të marrin në punë kë shikojnë ata të arsyeshme por duhet të bëhet një vlerësim i hapur, i dosjeve të gjithë secilës për tu pranuar më vonë.
Top Channel