Skënderbeu mund Flamurtarin brenda në Vlorë me rezultatin 0-2, duke vazhduar në krye të Kategorisë Superiore pas 4 javësh.
Edhe pse një ndeshje deri diku e barabartë, kampionët në fuqi bëjnë sërish diferencën për të marrë tre pikët përballë skuadrës së ish-trajnerit të tyre, Ilir Daja, që ka filluar një sezon me pritshmëri të lartë për garën e titullit kampion. Nën drejtimin e Orges Shehit, Skëndërbeu i ri në emra dhe në moshë vazhdon të ketë një ritëm të lartë prej kampionësh, duke mundur edhe skuadra me lojtarë me më shumë eksperiencë.
Kjo ishte një fitore që bind për korçarët, duke vërtetuar se do të jenë sërish ekipi për t’u mundur në këtë kampionat. Kur gjithçka shkonte drejt një barazimi, 15 minuta nga fundi i ndeshjes ndryshon gjithçka. Radas kroson nga një goditje standarte dhe brenda zonës Krasniqi zhbllokon ndeshjen me golin e parë në minutën e 73-të.
Pak minuta më pas, pikërisht autori i golit Krasniqi zëvendësohet me Oto Xhon dhe këtij të fundit i duhen pak minuta jo vetëm për t’u ambientuar, por edhe për të shënuar golin e dytë të takimit, që vulos fitoren e tretë në katër ndeshje për Skënderbeun që kryeson me 10 pikë.
Ndërkohë, Flamurtari mbetet po në vendin e dytë në kuotën e 7 pikëve, edhe pse e mbyll këtë javë të katërt me humbjen e parë sezonale dhe me dy golat e parë të pësuar nën drejtimin e Ilir Dajës.
Top Channel