PDIU, zyrtarisht me PD. Basha: Me Idrizin, në frontin opozitar për luftën kundër krimit

16/09/2018 12:35

Partia Demokratike zyrtarizoi koalicionin me PDIU-në e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Pas një ore takim të zhvilluar mes dy kryetarëve dhe drejtuesve të tjerë partiakë, palët njoftuan se PDIU-ja, e cila në themel të programit të saj ka çëshjen çame, do të rreshtohet në frontin opozitar.

“Opozita është në frontin më të gjerë dhe më e angazhuar dhe e fortë me bashkimin e të gjithë faktorëve kryesorë politikë të vendit pas konkludimit me sukses të bisedimeve me Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet për të shërbyer në interesin e qytetarëve në këtë moment kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë sot një mision jetik për çdo familje shqiptare. T’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të largojmë një orë e më parë aleancën e pushtetit me krimin që ka zaptuar Qeverinë, Parlamentin, institucionet e drejtësisë, Policinë, të çlirojmë vendin nga sundimi i bandave”, tha Basha.

“Unë sot dua të shpreh që Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet deri më sot ka qenë në opozitë, sot është pjesë e Opozitës së Bashkuar, sepse përballë një maxhorance arrogante, një ekonomie pa busull që nuk orientohet nga prodhimi, përballë një krimi në realitet në rritje, trafiqeve dhe ajo që është më e rënda, braktisjes së këtij vendi nga shqiptarët, ne kemi nevojë që të kemi një opozitë të fortë”, tha Idrizi.

Por, kalimi i Idrizit në krahun opozitar nuk është pëlqyer nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, me të cilin Lulzim Basha pati një takim disa ditë më parë. Kreu demokrat tha se, bashkëpunimi me PDIU-në nuk drejtohet kundër interesave të minoriteti grek, por është një vlerë e shtuar.

“Partia Demokratike e Shqipërisë ka qënë, është dhe mbetet thellësisht e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë në dimensionin historik të kujtesës dhe respektit, nderimit për viktimat, në dimensionin e sigurimit të lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë të lindur në Çamëri dhe në dimensionin e përpjekjeve juridike dhe diplomatike për të garantuar të drejtën e pronës për të gjithë qytetarët shqiptarë të Çamërisë, tha Basha.

Lëvizjet e PDIU-së në politikë kanë diktuar edhe lëvizjet e partisë tjetër, PBDNJ-së, e cila përfaqëson minoritetin grek.

Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, teksa ishte në aleancë me Vangjel Dulen, Edi Rama afroi në qeverisje Shpëtim Idrizin. Atëherë, kjo lëvizje solli reagimin e Dules, që doli nga koalicioni i majtë duke iu bashkuar më pas Lulzim Bashës.

Tani pritet zyrtarizimi i qëndrimit të Vangjel Dules, i cili ka një mandat të opozitës në Parlament të marrë nga listat e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, PDIU ka mbetur pa deputetë në Kuvend, pasi 3 të zgjedhurit e saj janë larguar tashmë nga kjo forcë, duke qëndruar në anën e mazhorancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA