Fitorja ndaj Leverkusenit, pasditen e së shtunës, i kushtoi shtrenjtë Bayern Munchenit. Klubi bavarez dhe stafi teknik i tij panë t’iu dëmtohen dy futbollistë gjatë ndeshjesh, duke mos e fshehur aspak zemërimin.
Një prej të dëmtuarve ishte Corentin Tolisso, i cili ka pësuar një dëmtim në ligamentet e gjurit të djathtë, gjë që do ta detyrojë atë të qëndrojë jashtë fushave të blerta për disa muaj. Për francezin, kjo situatë mund të konsiderohet si e pafat dhe e rastësishme.
Ndërsa Rafinha vuajti pasojat e ndërhyrjes së rëndë të Bellarabit, pikërisht në kavilje duke i dëmtuar ligamentet, veprim për të cilin u ndëshkua menjëherë me karton të kuq. Pikërisht në këtë rast reaguan me forcë Kovaç dhe Uli Hoeness.
“Ndërhyrja e Bellarabit meritonte karton të kuq të dyfishtë. Kam përshtypjen se jemi një prè e lehtë”, tha trajneri Kovaç, ndërkohë që Hoeness ishte edhe më i ashpër.
“Bellarabi e dëmtoi me qëllim lojtarin tonë. Duhet skualifikuar me 3 muaj për budallallëkun e tij”, ishte deklarata e presidentit të Bayern Munchen.
Top Channel