Kukësi i falet Reginaldos, Frashërit dhe fatit për të mposhtur 1-0 Teutën dhe për të marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat. Një gol i sulmuesit nga Mozambiku pas diçka më shumë se çerek ore loje u mjaftoi verilindorëve, të cilët i shkaktuan humbjen e parë Teutës së Bledi Shkëmbit.

Reginaldo ishte në dyshim madje në fillim u tha se do mungonte në 3 ndeshjet e ardhshme të Kukësit pas dëmtimit që pësoi me kombëtaren e Mozambikut por sulmuesi afrikan jo vetëm që zbriti në fushë që nga minuta e parë por rezultoi deçiziv për skuadrën e Cungut.

Megjithatë në minutat e fundit Kukësi ishte vërtet me fat sepse fillimisht sulmuesi i Teutës Amadu Latif u ndal nga shtylla ndërsa më pas Frashëri bëri mrekullinë duke ndalur një tentativë të vendasve nga goditja standarde.

Me këtë fitore Kukësi u ngjit në kuotën e 7 pikëve duke parakaluar Teutën por edhe Kamzën që fitoi ndaj Kastriotit në renditje. Teuta e Shkëmbit bëri një lojë të mirë por edhe njëherë tjetër tregoi që shpërdoron shumë përpara portës, madje goli i parë i pësuar në këtë sezon rezultoi vendimtar për djemtë e detit të cilët pësuan humbjen e parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA