Stevan Gerard nuk ngurroi sërish të thurte elozhe për lojtarin më të ri të skuadrës që ai drejton, Glasgow Rangers, Eros Grezdën.

Ish-legjenda e Liverpoolit, në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes së fundjavës kundër Dundes në kampionatin skocez doli përpara mediave i shoqëruar me lojtarin e kombëtares kuqezi. Numri një i stolit, krahas diskutimit për ndeshjen, vlerësoi maksimalisht Grezdën, duke e etiketuar si një futbollist të jashtëzakonshëm. Madje ai e la të hapur mundësinë e aktivizimit të tij, edhe pse 23-vjeçari nuk është në formën e tij më të mire.

“Grezda është një lojtarë i shkëlqyer, shumë i aftë dhe që mund t’i shërbejë shumë skuadrës. Ka kaluar një operacion të vështirë. Momentalisht, ai është në 70-80% të formës, kështu që ai do të jetë i gatshëm dhe mund të përfshihet në ndeshjen e nesërme. Ka bërë progres kohët e fundit. Është një lojtar premtues, që do të bëjë për vete tifozët. Gjithsesi nuk dua të rrezikoj, ndaj le të shohim.”

Entuziast për aventurën e tij të re u shfaq edhe Grezda, duke deklaruar se, nëse trajneri do të vendosë ta aktivizojë në ndeshjen kundër Dundes, ai është gati për të dhënë më të mirën e tij.

“Po bëhen dy javë që jam këtu dhe jam shumë i lumtur. I gjithë stafi është shumë profesionist dhe unë po punoj shumë mirë me ta. Kur erdha këtu fillova të bisedoja dhe t’i pyesja për të mësuar gjithçka, sepse është një diferencë e madhe për mua të vij nga futbolli europian në futbollin britanik. Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar në ditët e para. Nuk jam akoma gati, por po punoj shumë për t’u rikthyer. Stafi vendos, por nëse do të luaj nesër, do të jap maksimumin tim dhe do bëj detyrën time.”

Top Channel