Njerëzve me shumë pushtet u pëlqen të adhurojnë një figurë historike. U pëlqen të kenë një figurë të lashtësisë që ta admirojnë, dhe, pse jo, t’ia kalojnë. Mark Zuckerberg tregoi për “New Yorker” se sa shumë e admironte figurën e perandorit romak, Augustit. Ai dhe gruaja e tij, madje, i kanë vënë emrin “August” njërit prej fëmijëve.

“Praktikisht, nëpërmjet një qasjeje të ashpër, ai ka vendosur 200 vite paqe botërore”, shpjegoi Zuckerberg. Më pas ngriti pyetjen: “Cilat janë kompromiset për këtë? Në njërën anë, paqja në botë është qëllim afat-gjatë për të cilin njerëzit diskutojnë gjithnjë. Në anën tjetër, kjo nuk vjen falas. Atij iu desh të bënte disa gjëra për ta arritur”.

Zukerbergu e ka pasur shumë për zemër latinishten në shkollë. (Po aq sa programimin, siç ka thënë). Motra e tij, Dona, ka mbaruar master për histori klasike në Princeton dhe punon si redaktore e një reviste shumë të mirë rreth historisë klasike. Ajo ka shkruar një libër, që tregon se si komunitetet e ekstremit të djathtë nëpër internet i bëjnë shumë referencë historisë klasike.

Nuk e di nëse pasioni i Zukerbergut me historinë klasike bën që eufemizmat e tij të jenë alarmuese apo jo. “Iu desh të bënte disa gjëra”, dhe “Qasje shumë e ashpër” janë një përshkrim i zbutur i asgjësimit që Augusti u bënte rregullisht kundërshtarëve. Dhe “200 vite paqe në botë”? Nëse mund të quhen ashtu dy shekuj me pushtime mizore, atëherë përgjigjen e jep bukur edhe historiani romak, Tacitus: “Solitudinem faciunt, pacem appellant”. Që do të thotë: “Krijojnë shkretëtira dhe i quajnë paqe”.

Por le të jemi zemërgjerë e të hamendësojmë se Zukerbergun nuk e tërheq te Augusti shtypja e armiqve dhe mbizotërimi në botë, por thjesht mendimi intelektual rreth çështjes historike në fjalë.

Është e vërtetë që koha e sundimit të tij është quajtur shpesh si një nga kthesat më të jashtëzakonshme në histori, kur republika e Romës u lëkund, u shkërmoq dhe u reformua si perandori. Por kjo mund të interpretohet ndryshe, në varësi të çastit historik që merret nën ekzaminim. Është e vërtetë që sundimi i Augustit i dha fund vuajtjeve të popullsisë civile, gjë që e kishte stërmunduar Romën në fund të shekullit të parë para erës sonë. Është e vërtetë edhe që në kohën kur Augusti vdiq, në vitin 14 të erës sonë, perandoria kishte hyrë në një periudhë stabiliteti dhe rinovimi. Kështu ma kanë mësuar Augustin në shkollë, dhe ndoshta s’ka qenë rastësi që ma ka mësuar dikush që ishte rritur gjatëLuftës së Dytë Botërore. Por në vitin 1939, Ronald Syme botoi një version të shkëlqyer të asaj periudhe historike, “Revolucionin Romak”, një libër revolucionar në vetvete, pasi sfidonte reputacionin e madh të Augustit duke e paraqitur si një figurë të egër, që kishte dalë në sipërfaqe duke ushtruar pushtet autokrat, në një kohë që perandoria romake ishte vazhdimisht e pamundur të qeverisej.

Një tjetër arsye që për Augustin ka pasur admirim të madh, është fakti që ai ishte mjeshtër propagande the politikan shumë i zoti. Në kohën tonë, kur përballemi me shtrembërime të së vërtetës e me lajme të rreme, është interesante të përpiqesh të kuptosh se çfarë ka ndodhur vërtet në atë kohë. Merrni si shembull autobiografinë e tij, “Res Gestae Divi Augusti”. “Veprat e Kryera nga Augusti i Hyjnizuar”, (Po, titulli është fiks kështu).

Teksti është një dokument mahnitës që rendit emërimet politike, arritjet ushtarake dhe projektet infrastrukturore të urdhëruara prej tij. Por me prova të tjera që mund të shihen në kohët e sotme, mund të interpretohet edhe si portreti i një njeriu që vendosi një autokraci e cila imitonte me zgjuarsi traditat dhe veprimet e kohës kur Roma ishte ende pothuajse-demokraci.

Duke i maskuar veprimet sikur po përpiqej t’i kthente Romës madhështinë e dikurshme, ai ndryshoi kushtetutën dhe mori më shumë pushtet në duart e veta. Ndoshta kjo është diçka që e ka bërë Zukerbergun të mendojë. Sidomos duke pasur parasysh se titulli i “New Yorker” për profilin e tij ishte: “A mund ta rregullojë Zukerbegu Facebook-un para se të ketë prishur demokracinë?”

Charlotte Higgins, The Guardian

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA