Kryeministria ka reaguar pas deklaratave të demokratit Enkelejd Alibeaj, duke mohuar që familjarë të kryeministrit apo ministrit të Brendshëm të ketë lidhje me kompani të basteve apo të atyre që bëjnë monitorimin e basteve online.
“Partia Demokratike vazhdon avazin e vjetër dhe të dëshpëruar të baltosjes së përditshme. Prej dy ditesh akuzon në hava, pa dhe as edhe një fakt të vetëm, vëllain e Kryeministrit dhe atë të Ministrit të Brendshëm, për favorizim të kompanive të basteve dhe lojrave të fatit. Së pari, asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, siç shpif PD-ja. Së dyti, në datë 31 dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, nuk do të ketë më asnjë kompani lojrash fati brenda territorit të qyteteve. Së treti, nëse gjatë qeverisjes së PD-së egzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar. Së katërti, kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë kanë rinovuar licencat e tyre ose kanë marrë licenca të reja, gjatë viteve kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha”, thuhet në reagimin e kryeministrisë.
Reagimi vijon duke thënë se “nga PD nuk presim dot asgjë tjetër. Por kemi të drejtë të presim që më në fund mediat që i pasqyrojnë këto shpifje apo përgënjeshtrime, të bëjnë mundësisht punën e tyre dhe të verifikojnë kush gënjen në këtë mes”.
Top Channel