Rikthehet Superiorja, Duro debuton në stolin e Kamzës, Teuta kundër Kukësit

14/09/2018 22:37

Skuadrat e Kategorisë Superiore rikthehen në fushën e lojës pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtares.

Sipari i javës së katërt të kategorisë superiore do të hapet ditën e shtunë me ndeshjen mes Kamzës dhe Kastriotit. Skuadra e Kamzës do të ketë në stol trajnerin Klodian Duro i cili bën debutimin e tij në këtë sezon të Superiores dhe sigurisht ai do të kërkojë të marrë fitoren e parë ndaj një skuadre të cilën ai thekson se e respekton.

“Jemi gati për ndeshjen me Kastriotin. kam besim se lojtarët e mi do të marrin këtë fitore. E respektojmë Kastriotin dhe të gjitha skuadrat e tjera të Superiores. Por ne duhet të shohim punën tonë, që është të bëjmë lojën tonë dhe të marrim maksimumin”, u shpreh Klodian Duro, trajner i Kamzës.

Të shtunën do të luhet edhe ndeshja mes Teutës dhe Kukësit dhe për trajnerin Cungu skuadra e tij do të hyjë në fushë për të marrë fitoren.

“Teuta është një ekip tjetër, nuk është si ajo e sezonit të kaluar. Është një skuadër më e organizuar. Mendoj se duhet ta respektojmë, por në radhë të parë duhet të respektojmë veten, pasi Kukësi është një skuadër që ka objektivat e saj dhe në çdo ndeshje hyn në fushën e lojës për të fituar”, tha Armando Cungu, trajner i Kukësit.

Java e katërt e Kategorisë superiore do të vijojë ditën e diel me 2 ndeshje të tjera; Laçi-Partizani dhe Tirana-Luftëtari, ndërsa mbrëmja e së hënës do të jetë e supersfidës Flamurtari-Skënderbeu, ku përballë do të jenë dy skuadrat që kryesojnë kampionatin me nga 7 pikë secila.

Top Channel