Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin mes vendeve tona, shtrirë tashmë në të gjitha fushat, për proceset politike në shtetet respektive dhe me theks të veçantë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacënueshëm. Veseli tha se, në fund të procesit të dialogut, Kosova do të fitojë një vend në OKB, brenda kufijve me të cilët ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.

Kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati, nga ana e tij konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo po kalon. Veseli e Bushati theksuan nevojën që spektri politik i Kosovës të dalë me një qëndrim të përbashkët para fillimit të dialogut final.

Top Channel