Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndodhet në Kosovë, ku u takua me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe krerë të partive politike.
Dialogu Kosovë-Serbi dhe mbështetja e Shqipërisë në çdo proces integrues për Kosovën u diskutuan gjatë takimeve të ministrit.
“Mbështetja që ka dhënë Shqipëria për Kosovën në të gjitha etapat ka qenë e rëndësishme, prandaj kërkojmë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Ne duhet t’i ndryshojmë parametrat ekonomik mes vetes dhe t’i heqim barrierat burokratike”, tha kryeministri Haradinaj, duke falenderuar ministrin Bushati për rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.
Bushati takoi edhe homologun Behgjet Pacolli, me të cilin doli në një konferëncë për shtyp pas takimit. “Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme në Shqipëri, Kosova është gjithmonë e para”.
Ndërsa gjatë takimit me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, siç bëhet e ditur në një komunikatë nga VV, kreu i kësaj lëvizjeje i tha ministrit Bushati se Kosova Lindore po keqpërdoret si karrem nga Presidenti Thaçi për të siguruar mbështetje politike e publike, e cila, sipas tij, i mungon aq shumë.
Top Channel