“Vetting për kumarin”. Rrëzohet dekreti i Metës, Basha lëshon akuza nga Durrësi

13/09/2018 14:49

Mazhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta që kërkonte rishikimin e ligjit për tatimin e lojrave të fatit, pasi, sipas saj, favorizoheshin pa të drejtë kompanitë që veprojnë në këtë sektor.

Pavarësisht se drafti i qeverisë tashmë pritet të hyjë në fuqi, nga mazhoranca u ngritën tone alarmante jo vetëm përsa i përket evazionit fiskal të këtyre kompanive, por edhe lidhjeve me krimin.

Erion Braçe tha: “Në këtë segment të biznesit ka hyrë paraja e pistë. Organet të bëjnë vetting për të gjithë pronarët e lojrave të fatit. Kam parë të dhënat, evazioni fiskal është dramatik”.

Për lidhjet e kompanive të lojrave të fatit me botën e krimit foli edhe Lulzim Basha nga Durrësi, ku kryesoi mbledhjen e grupeve parlamentare të opozitës që edhe këtë javë bojkotoi seancën plenare.

“Partia Demokratike do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë se Rama dhe Xhafaj kanë ndihmuar bandat që të marrin kontrollin e lojrave të fatit, duke i përdorur ato për pastrimin e parave të pista”, deklaroi Basha.

Me tone gati kërcënuese, kryedemokrati paralajmëroi vetting të ashpër financiar për sipërmarrësit që bashkëpunojnë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa tregoi pse kreu i qeverisë ishte disa ditë më parë në Amerikë: “Konsullata në Nju Jork, vjedhje me ligj për të ndërtuar grataçela me miqtë e tij”.

Vetting-u në politikë vijoi të përplaste mazhorancën dhe opozitën, që replikuan në distancë nga Tirana dhe Durrësi.

Taulant Balla u shpreh: “Nuk ka dyshim që ky propozim kërkon pengimin e reformës në drejtësi. Nuk mund ta bëjnë politikanët vetting-un e vetes, o Lulzim!”

Basha u përgjigj: “Nuk ka asnjë pengesë që sot të hetohen familjarët e politikanëve, por a e heton dot Edi Rama Olsi Ramën?”

Ndërkohë, Kuvendi publikoi në faqen e tij zyrtare nismën kushtetuese të opozitës për vetting të politikanëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA