Të dyshuarit e Salisburyt flasin për “RT”: Ishim atje si turistë për të parë katedralen

13/09/2018 13:29

Dy personat e identifikuar si të dyshuarit kryesorë për sulmin me agjentin nervor “Novichok” në Salisbury të Britanisë së Madhe, janë shfaqur në ekranin e televizionit shtetëror rus “RT” këtë të enjte, ku kanë pretenduar se e kanë vizituar qytetin “e mrekullueshëm” anglez si turistë për të parë katedralen e saj.

Dy personat, që thanë se emrat e tyre ishin Ruslan Boshirov dhe Alexander Petrov, duken të ngjashëm me ata të kapur nga kamerat e sigurisë të publikuara nga policia britanike, që hetoi përpjekjen për vrasjen e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia, më 4 mars të këtij viti.

Policia britanike thotë ndërkohë se emrat e përdorur nga dy burrat janë pseudonime dhe shton gjithashtu se ka prova të pakundërshtueshme se ata janë agjentë të shërbimit informativ ushtarak rus, GRU.

Në intervistën e dhënë për “RT”, ata kanë pranuar se kanë qenë së bashku në Salisbury dhe se janë pikërisht personat që tregohen edhe nga kamerat e sigurisë.

“Miqtë tanë na kishin sugjeruar prej kohësh që ta vizitonim atë qytet të mrekullueshëm”, tha personi i identifikuar si Alexander Petrov. Boshirov nga ana e tij tha se qëllimi i vizitës ishte Katedralja e Salisburyt, duke veçuar majën e saj të lartë si më tërheqëse.

“Atje ndodhet një katedrale e famshme, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën. Ajo është e famshme për majën e saj 123 metra të lartë, është e famshme për orën që njihet si e para e atij lloji e krijuar në mbarë botën, që është ende funksionale”.

Prezantuesi i televizionit njoftoi se intervista e plotë do të transmetohej më vonë gjatë ditës, ndërsa momentet më kryesore të saj të shoqëruara me titrim u publikuan nga “RT” përpara se të publikoheshin pamjet video.

Në intervistë, Boshirov tha se, teksa shëtisnin në qytetin e Salisburyt, ata të dy “mund t’i jenë afruar shtëpisë së Skripalit, por pa e ditur se ku ndodhej ajo”.

Dy personat e identifikuar nga policia si Petrov dhe Boshirov u akuzuan në mungesë gjatë javës së kaluar në Britaninë e Madhe, për komplot dhe tentativë vrasjeje të Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, si dhe të oficerit të policisë që po hetonte rastin e helmimit.

Të mërkurën, Vladimir Putin u bëri thirrje atyre të dyve të dilnin e të flisnin për mediet, gjatë një konference në forumin ekonomik të mbajtur në Vladivostok. Ai tha se ata të dy ishin të pafajshëm dhe “qytetarë të thjeshtë”, duke rënë në kontradiktë kështu me “Scotland Yard”, që pretendon se ata janë agjentë të GRU-së.

Top Channel