Në një mbledhje urgjente të mbajtur këtë të enjte, Qeveria e Kosovës ka votuar pro projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
Për këtë zhvillim pati një reagim pasditen e sotme nga ambasada amerikane në Prishtinë, ku thuhet se nuk është këshilluar për projektligjet dhe për këtë do të bëjë një analizë për të mësuar qëllimet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për ta arritur këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në përputhje me aleatët tanë në NATO për këtë hap të rëndësishëm. Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij lajmërimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre. Përpjekjet tona të disa javëve të shkuara janë përqendruar në ndërtimin e konsensusit të brendshëm për dialogun e rëndësishëm me Serbinë. Vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt”, thuhet në deklaratën e dërguar në media të ambasadës së SHBA-së.
Top Channel