Piloti i frenuar fal kundërshtarin: Nuk do ta padis Fenatin

13/09/2018 13:58

Pas episodit të shëmtuar të së dielës në garën e Moto 2, kur piloti italian Romano Fenati preku frenat e kolegut Stefano Manzi kur të dy ishin me një shpejtësi rreth 220 km/h, “viktima” e këtij episodi thotë se është gati që ta falë kundërshtarin për veprimin që bëri.

“Jam gati që ta fal. T’i japim kohë kohës, të qetësohemi dhe do ta fal një ditë. Nuk kam ngritur padi dhe as nuk kam pasur ndërmend të ngre padi. Dua ta mbyll këtë çështje dhe të vazhdoj përpara”, tha Manzi për sportmediaset.it.

Në lidhje me veprimin e çmendur të Fenatit, italiani tha se nuk pati frikë.

“Ishte një goditje e vogël, as nuk kisha kohë për të pasur frikë. Nuk ndodhi gjë”, shpjegoi Manzi.

Këto deklarata vijnë pasi Romano Fenati, autori i gjestit, vendosi që të tërhiqej nga motoçiklizmi në moshën 22-vjeçare.

“Nuk do të garoj më kurrë. Bota e motorëve nuk më përket më, ka shumë padrejtësi. Pranoj që gabova dhe u kërkoj falje të gjithëve”, ka deklaruar Fenati për “La Reppublica”.

Top Channel