“Tërbimi” i Serenës, arbitrat mendojnë ta bojkotojnë

12/09/2018 13:05

Polemikat e forta që shpërthyen në finalen e femrave të “US Open” mes Serena Williams dhe arbitrit të ndeshjes Carlos Ramos, vazhdojnë të shkaktojnë debate në medien sportive dhe jo vetëm. Opinionet janë të ndryshme në lidhje me sjelljen e tenistes amerikane. Disa e mbrojnë ish-numrin 1 të botës, e disa të tjerë i dalin kundër.

Ata që duket se i kundërvihen me më shumë forca Serena Williamsit janë pikërisht arbitrat, të cilët sipas “The Times” po mendojnë të marrin masën më drastike: bojkotimin e sfidave të saj.

Sipas “The Times”, klasa arbitrare nuk ka gjetur mbështetjen e ËTA-së dhe as atë të Federatës amerikane të Tenisit, ndërsa vetëm ITF-ja i ka dalë në krah Ramosit për sjelljen e tij. Tashmë ka lindur ideja që asnjë prej arbitrave të mos drejtojnë ndeshjet ku do të luajë Serena Williams, deri në momentin që ajo të kërkojë falje publike.

Ndërkohë, vet Ramos ka thyer heshtjen pas asaj që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, nëpërmjet një interviste për të përditshmen portugeze “Express”.

“Duke parë rrethanat, them që jam mirë – tha Ramos në intervistën e tij. – Është një situatë e mërzitshme. Nuk ekzistojnë arbitrimet sipas kërkesave të lojtarëve. Mos u shqetësoni për mua”.

Ramos do të kthehet të arbitrojë një sfidë tenisi këtë fundjavë, pikërisht në sfidën gjysmëfinale të Kupës “Davis” mes Kroacisë dhe SHBA, që do të zhvillohet në Zadar të vendit ballkanik, ku shpreson që të shohë një ambient më pak armiqësor sesa ai që pa në “Arthur Ashe Stadium” në “Flushing Meadows”.

Top Channel