I ftuar këtë të martë në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka denoncuar atë që e ka quajtur “terr informativ” nga qeveria shqiptare, si dhe arsyet përse kundërshton “marrëveshjen e partneritetit strategjik” mes Shqipërisë e Greqisë, për sa kohë që ka ende çështje të hapura e të pazgjidhura mes palëve.

Duke theksuar “terrin informativ” nga qeveria shqiptare, teksa tha se informohemi vazhdimisht nga pala greke, Idrizi shtoi se i është drejtuar ministrit Bushati me 16 pyetje dhe s’ka marrë përgjigje. Sa i përket marrëveshjes së detit, pala greke thotë se ka rënë dakord me Shqipërinë të zgjerohen nga 6 deri në 12 milje, “por kur ministrin Bushati e pyesin se ç’do të thotë kjo, ai përgjigjet ‘ku di unë çfarë bëj unë, nuk e di përse e ka thënë këtë pala greke’”.

Por cilat janë arsyet e kompleksimit të Shqipërisë në këtë raport dyshtetëror diplomatik, juridik dhe politik me Greqinë?

“Koncepti i inferioritetit është çudia më e madhe, – thotë Idrizi. – Kjo, sepse ne kemi parë qëndrime të forta të kësaj qeverie, e kemi mbështetur vazhdimisht. Shpesh Rama e Bushati bëheshin më çamë sesa vet çamët, por asnjë nuk mund ta përdorë çështjen ‘çame’ si çakmak për të rritur temperaturat me Greqinë dhe sot të ulen për një marrëveshje që nuk e përfshin këtë”, deklaroi Shpëtim Idrizi, sipas të cilit Shqipëria humbet kështu dinjitetin dhe reciprocitetin.

Ajo që e shqetëson më shumë kreun e PDIU-së është deklarata e shprehur nga kryeministri Rama dhe ministri Bushati se “ne do të kemi një marrëveshje të partneritetit strategjik” me Greqinë. Një pakt në parim i denoncuar nga PDIU-ja, sepse pasja e një partneriteti strategjik me një vend nënkupton të mos kesh çështje të hapura mes njëri-tjetrit, por të jenë zgjidhur të gjitha. Sikurse është detyrim, – thekson Idrizi, – që diplomacia shqiptare të lobonte më fort për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga shteti grek.

“Nuk mund të them që është tradhtuar çështja ‘çame’ nga shteti shqiptar, për arsyen se çështja e shqiptarëve të Çamërisë nuk varet as nga këllqet e Edi Ramës, as nga të Tsiprasit. Për sa kohë që ekzistojnë shqiptarët e Çamërisë dhe ne rritemi me një projeksion gjeometrik, absolutisht që kjo çështje nuk mund të ikë nga asnjë lloj agjende. Për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, që ta themi deri në fund qëndrimin e palës shqiptare, është një qëndrim në kufijtë e tradhtisë siç e thoni ju. Për ta zgjidhur, shteti shqiptar duhet t’i adresohet rezolutës për ta, të konsultohet me faktorin çam, apo të kthehet në korifejtë e demokracisë”, është shprehur Idrizi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA