Kapitullimi përballë Portugalisë, Italia s’ka forcë për të reaguar

11/09/2018 10:48

Italia ia komplikon shumë gjërat vetes në Ligën e Kombeve. Në “Da Luz” të Lisbonës, skuadra e drejtuar nga Mancini u mposht me rezultatin 1-0 nga Portugalia, kampione e Europës në fuqi, në një sfidë ku të gjithë prisnin reagimin e “axurrëve” pas ndeshjes së parë të zhvilluar me Poloninë, pak ditë më parë.

Skuadra luzitane ishte superiore ndaj Italisë në të gjitha aspektet, e nëse rezultati në fund të sfidës ishte vetëm 1-0, kjo erdhi për meritë të Donnarummës, që bëri të paktën 3 pritje vendimtare.

Ai që e futi Italinë në telashe të mëdha në kompeticionin më të ri të UEFA-s ishte ish-sulmuesi i Milanit, Andre Silva, me golin e shënuar në minutën e 48, gol që erdhi pas një topi të humbur të Caldarës.

Pas dy ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve, Italia ka vetëm 1 pikë, atë të barazimit me Poloninë në “Dall’Ara” të Bolonjës, duke detyruar “të kaltrit që në dy ndeshjet e radhës të ndryshojnë me çdo kusht gjërat, në mënyrë që të evitojnë rënien në Ligën B.

Top Channel