Administrata e Trump kërcënon Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, e quan të paligjshme

11/09/2018 10:15

Administrata e presidentit Trump i ka përshkallëzuar sulmet ndaj organizatave ndërkombëtare duke kërcënuar se do të vendosë sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Në një sulm të drejtpërdrejtë, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurim Kombëtar, Xhon Bolton, tha se SHBA-të nuk do të rrinin duarkryq nëse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës merrte masa kundër SHBA-ve, Izraelit e aleatëve të tjerë. Ai tha se administrata e presidentit Trump do të vepronte për të mbrojtur qytetarët amerikanë nga “gjykata e paligjshme”.

“Do ta lëmë Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë të vdesë vetë. Në fund të fundit, për ne është e vdekur”, tha Bolton që në fjalimin e parë si këshilltar i Sigurisë Kombëtare për Shtëpinë e Bardhë.

Sulmi ndaj GJNK është përpjekja e fundit e presidentit Trump për ta larguar Amerikën nga institucionet ndërkombëtare dhe nga marrëveshjet që ai beson se i pengojnë SHBA-të në arenën botërore.

Në 20 muajt e parë të presidencës, Trump është larguar nga marrëveshja e Parisit për Klimën dhe nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Paqësor. Amerika u tërhoq edhe nga Këshilli i OKB për të Drejtat e Njeriut dhe ka kërcënuar të largohet edhe nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Bolton tha se SHBA-të do të mbyllin edhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës në Uashington, pasi këta të fundit janë përpjekur ta bindin Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës që të hetojnë Izraelin.

Ai tha se nëse GJNK hap çështje kundër amerikanëve, SHBA-të do t’i shpallin gjykatësit dhe prokurorët si persona të padëshiruar në Amerikë, duke u bllokuar hyrjen, si dhe do t’u vendoste sanksione financiare. Boltoni, që i ka kritikuar prej kohësh institucionet ndërkombëtare, ka thënë se nëse OKB-s i hiqeshin 10 nga 38 katet që ka te ndërtesa në Nju Jork, nuk do të ndryshonte asgjë.

Boltoni ka punuar fort për të ulur ndikimin e gjykatës që kur ishte zyrtar në administratën e presidentit Bush. Sulmet e fundit vijnë pasi GJNK vendosi të hetojë ushtarakë amerikanë të akuzuar për abuzime në Afganistan.

John Bellinger, një avokat që ka shërbyer si këshilltar ligjor në administratën e presidentit Bush, tha se Bolton ka një qasje konfliktuale, por që edhe GJNK e ka detyruar Uashingtonin të sillej ashpër, duke kërcënuar me hetime.

“Çdo administratë, republikane apo demokrate, do të duhej të përgjigjej ndaj një kërcënimi të tillë”, tha Bellinger, tashmë i punësuar te firma ligjore Arnold&Porter. “Ndoshta ka kuptim të përgjigjemi dhe ta bëjmë të qartë se cilat do të jenë pasojat”.

Të hënën, Bolton tha se SHBA-të nuk do të bashkëpunojnë me GJNK, nuk do të japin fonde dhe as t’i bashkohen gjykatës, e cila gjendet në Hagë. Ndonëse SHBA-të nuk i janë bashkuar asnjëherë GJNK me staf, kanë bashkëpunuar me hetimet herë pas here, si për gjenocidin në Darfur dhe me gjyqin e Charles Taylor, ish udhëheqësit të Liberisë.

Bolton tha se gjykata ishte tepër e rrezikshme, një organizatë botërore që nuk pyeste për rregulla, e që kishte mbështetje nga kombe të cilat donin të pengonin SHBA-të. Bolton tha se SHBA-të do të marrin masa ndaj çdo kompanie e çdo shteti që ndihmon hetimet kundër amerikanëve, si dhe do t’i çonte në gjyq gjykatësit e GJNK që do të përfshiheshin në çështje të tilla.

Bellinger tha se disa nga këto deklarata janë retorikë e tepruar, vazhdim i frymës që sjell ligji amerikan i quajtur “Akti për Pushtimin e Hagës”, që lejon ushtrinë amerikane të shpëtojë qytetarë amerikanë që mund të mbahen nga kjo gjykatë.

Por ai shtoi se ky qëndrim do të bënte që disa shtete, si Mbretëria e Bashkuar, të përfshiheshin në përplasjen midis SHBA-ve dhe GJNK.

Aleks Uajting, një profesor në universitetin Harvard, ngre pyetjen nëse SHBA-të e kanë aftësinë të çojnë në gjyq stafin e GJNK. “Nuk ka statut që të lejojë përndjekje të tilla. Besoj se Kongresi nuk do ta lejonte një ligj të tillë”, tha ai.

Këtë nëntor, Fatu Bensuda, prokuror i Hagës, kërkoi hetimin e ushtarakëve amerikanë dhe agjentëve të CIA-s që akuzoheshin për krime lufte në Afganistan, si përdhunime dhe tortura.

Sara Sanders, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, tha se GJNK i kishte thënë Amerikës se ishte duke marrë një vendim për këtë çështje.

Emi Lehr, ish zyrtare e GJNK që tani drejton Nismën e të Drejtave të Njeriut te Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se fjalimi i Boltonit nuk ndryshonte gjë në faktin që SHBA-të s’kanë qenë asnjëherë anëtarë të gjykatës. “Por ashpërsia e përgjigjes është e çuditshme dhe e minon punën e GJNK në  shumë mënyra”, tha ajo.

Lehr shtoi se qasja e SHBA-ve fuqizon diktatorë në të gjithë botën, por ajo shpreson se do të ketë kundërpërgjigje nga qeveritë që mbështesin GJNK.

Bolton ka nënvizuar shumë arsye se pse SHBA-të nuk do ta mbështesin GJNK, dhe një prej tyre është shkelja e sovranitetit. Ai akuzon gjithashtu se gjykata ka realizuar vetëm tetë dënime, edhe pse ka shpenzuar 1.5 miliardë dollarë në hetime.

“Këto rezultate nuk i trembin diktatorët dhe despotët. Burrat e fortë të historisë nuk tremben nga fantazitë e ligjeve ndërkombëtare. Historia ka treguar se e vetmja gjë që e ndalon të keqen dhe ligësinë është ajo që Frenklin Rusvelit e quante Fuqia e të Drejtit, fuqia e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre”, tha Bolton.

Financial Times

Demetri Sevastopulo dhe Michael Peel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA