Në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në intervistën e transmetuar këtë të hënë në Top Channel, kreu i grupit parlamentar socialist i është përgjigjur edhe një pyetje-dilemë:
Një prokuror apo gjykatës, me kontakte me dikë që ka pasur të shkuar kriminale, apo me diçka që e ka penalizuar në jetën e vet, duhet të largohet nga drejtësia. Përse një politikan me takime apo kontakte të tilla, siç është konkretisht rasti i vet Taulant Ballës, që është përfolur për marrëdhëniet që ka me Edmond Begën, duhet të vazhdojë karrierën politike?
“Nëse ne do ta kufizojmë vettingun politik vetëm te kontaktet e papërshtatshme me persona me të shkuar kriminale, apo të përfshirë në vepra kriminale, ky vetting është i paplotë. Ndaj them se kjo e PD-së është një përpjekje për të penguar vettingun real të politikës shqiptare. Nëse ne mbyllim sytë përpara korrupsionit 27-vjeçar, nëse nuk hetojmë pasuritë e politikanëve, shqiptarët nuk do ta besojnë kurrë që po bëjmë vetting. Nuk e kundërshtoj çfarë u tha më lart, sigurisht që të hetohet çdo politikan për çdo lidhje dhe për çdo pasojë të shkaktuar nga kjo njohje. Por nëse fillojmë të bëjmë gjueti shtrigash, atëherë duhet t’i ndajmë gjërat”, tha Taulant Balla.
Në mbështetje të kësaj teze dhe përballë dyshimeve të disave se kjo “gjueti shtrigash” po ndodh edhe me prokurorë e gjyqtarë, Balla thotë se nëse ata njerëz të drejtësisë kapen në takime të ndryshme me persona, për të cilët japin vendimin përfundimtar gjyqësor, kjo është më e gjerë.
Politika, sipas tij, vendosi përmes Kuvendit të ngrejë institucionet për vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve, por kurrsesi nuk mundet dhe nuk duhet të bëjë edhe vettingun e vetvetes. Kështu nuk ka drejtësi, nuk është diçka e drejtë, pasi duhet një institucion tjetër që t’i bëjë vettingun politikës.
“Prej ditës së parë dhe në vazhdim kemi këmbëngulur që Reforma në Drejtësi të ketë produktin e vet përfundimtar ngritjen e dy institucioneve bazë”, tha ai. “Madje dua t’iu them se, nëse lexoni se çfarë kemi ne në Kushtetutë aktualisht për vettingun politikanëve, kuptoni që këto janë tërësisht të mjaftueshme për të mos bërë lojëra fjalësh, por të vendosim gishtin në plagë”.
Taulant Balla, në vijim të intervistës në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja theksoi se ka dy fotografi të nismës së PD-së për vettingun e politikës.
“Ne kemi përshëndetur që në fillim se, më në fund erdhën edhe këta në krahun tonë, për punën që kemi nisur. Një parti që hyri 3 muaj në çadër kundër vettingut, madje bëri edhe kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, më në fund paska ndryshuar mendje pas pushimeve verore për të na u bashkuar”, e përshkroi njërën prej tyre Balla.
Sa i përket të dytës, aspektit juridik, ai shton:
“Kanë sjellë një propozim dhe thonë se, për këtë propozim ose duhet t’u themi po, ose jo. Por propozimet dhe vettingu nuk bëhen kështu, vetëm me fjalë. Ju keni vetëm fjalë, ndërkohë që ne themi se vettingun e vërtetë e garantojnë dy institucionet e reja, produkt i Reformës në Drejtësi”.
Top Channel