Shkencëtarët francezë, apel udhëheqësve botërorë: Veproni!

10/09/2018 15:27

Nxehtësi ekstreme në Europë, Japoni e SHBA. Zjarre në pyje e shkrirje akujsh. 700 studiues francezë janë bërë bashkë në një hap të pazakontë, e u kanë drejtuar një apel udhëheqësve botërorë për kërcënimin e katastrofave nga ndryshimet klimatike.

Në apelin e publikuar nga gazeta “Liberation”, ata kërkojnë me urgjencë hapa të shpejtë për të kufizuar ngrohjen globale.

Sfidat e ndryshimit të klimës mund të tejkalohen vetëm me “ndryshime të menjëhershme në kuadër të objektivave të qarta dhe ambicioze” deri në vitin 2023.

“Ndryshimi i klimës është realitet gjithnjë e më shumë i ndjeshëm, – shkruajnë studiuesit. – Për shembull, përmes rritjes së temperaturave mesatare, shkrirjes së akullnajave, rritjes së nivelit të detit, shkatërrimit të ekosistemeve”.

“Fjalimet nuk mjaftojnë, siç e tregojnë shifrat e emetimeve të gazrave të karbonit”, kritikojnë ekspertët, ku bëjnë pjesë edhe fizikantë dhe ekonomistë.

Studiuesit kritikojnë ngadalësinë e ecjes përpara të luftës kundër ngrohjes globale. Ata i referohen marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, ku u përcaktua një plan veprimi për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius.

Por, “një projekt i përmasave të tilla nuk realizohet thjesht me nënshkrimin e një ujdie”, thonë ata.

Top Channel