Në Maqedoni nisi zyrtarisht fushata për referendumin e 30 shtatorit, ku do të vendoset për marrëveshjen e arritur me Greqinë, për emrin e ri të vendit, pakt i cili i hap rrugën Shkupit për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev i ftoi qytetaret që t’i thonë po paktit me Athinën.
“27 vjet duke u zvarritur nëpër baltë ishte e mjaftueshme. Është koha për t’iu bashkuar Evropës dhe NATO-s. Është koha për një jete me te mire për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. E bëra kompromisin sepse ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Emri i marrëveshjes ishte i aksesueshëm për këdo. Emërtimi i marrëveshjes e mban gjallë emrin Maqedoni duke ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë”, u shpreh Zaev.
Edhe Ali Ahmeti kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim tha se 30 shtatori është rruga e Maqedonisë për në BE dhe NATO.
Të gjitha partitë shqiptare e mbështesin marrëveshjen me Greqinë, ndërsa kundër është partia më e madhe maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.
Top Channel