Gjermani, rifillojnë telashet për Kancelaren Merkel

10/09/2018 15:12

Pas heshtjes verore, në skenën politike gjermane po ashpërsohen tonet mes partnerëve në pushtet, CDU dhe CSU.

Kontradiktat në Union dhe deklaratat kundër Kancelares Angela Merkel nuk kanë të ndalur. Ato nuk kanë pushuar në fakt as gjatë verës, por tani pritet ashpërsim.

Politikanë nga CDU-ja e Merkelit dhe CSU-ja kanë rindezur debatin për emigracionin. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer është sërish shkaktari i këtyre debateve.

Emigracioni është “nëna e të gjitha problemeve”, tha ai, pas përshkallëzimit të situatës në qytetin Chemnitz, ku pati një të vdekur dhe shumë incidente.

“Nëna e të gjitha problemeve” (emigracioni) tregon se debati i ndezur në pranverë, e që në qershor ka rezultuar gati me ndarjen mes CDU-së dhe CSU-së, mund të kthehet sërish.

Edhe kryeministri i Saksonisë, Michael Kretschmer, nga CDU, është përplasur me Merkelin për vlerësimin e ngjarjeve në Chemnitz.

Por, kancelarja ka edhe një telash tjetër. Personi më i besueshëm i saj në grupin parlamentar, Volker Kauder, më 25 shtator do të kandidojë sërish për postin e shefit të grupit.

Deri më tani, gjithçka ka qenë rutinë, pa komplikime. Por, këtë radhë, zëvendësi i tij po mendon të kandidojë për këtë post dhe mendohet gjerësisht se ai që kundërshton Kauderin, kundërshton edhe vet kancelaren.

Kjo e fundit, në opinion ka si armën më të fuqishme ekonominë në rritje. Por, gjithnjë e më shumë po fokusohet tek emigracioni dhe po përpiqet ta frenojë fenomenin larg brigjeve të Europës. Aktualisht, prioritet i kancelares është politika e jashtme, por rritja e temperaturave në parti dhe koalicion mund të ndryshojë ndoshta gjithçka.

Top Channel