Australi, nuk rreshtin vrasjet masive brenda familjes

10/09/2018 13:50

Një person në Perth të Australisë perëndimore është akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, tri fëmijëve të mitur dhe gjyshes së tyre, brenda në një shtëpi.

Trupat e pajetë të 41-vjeçares Mara Lee Harvey, binjakëve dyvjeçarë Alice dhe Beatrix, të 3-vjeçares Charlotte dhe 73-vjeçares Beverley Quinn u zbuluan nga policia në Perth gjatë kësaj të hëne.

Vdekjet, atyre iu janë shkaktuar nga “një mjet prehës dhe thika”, sipas policisë, një oficer i së cilës tha se besonte që Harvey dhe fëmijët e saj kishin ndërruar jetë brenda shtëpisë në periferinë Bedford që prej 3 shtatorit. Ndërkohë, e moshuara Quinn është vrarë pasi kishte shkuar në shtëpi ditën pasardhëse.

Policia dyshon se vrasësi kishte qëndruar i mbyllur në shtëpi “për disa ditë”, përpara se të dorëzohej në komisariatin e policisë në Pannawonica, rreth 1.430 km në veri të Perthit, të dielën. Motivi i vrasjeve makabër nuk dihet, ndërsa policia nuk jep detaje të mëtejshme.

Ky është rasti i tretë i vrasjeve masive në Australinë perëndimore gjatë këtij viti. Në korrik, një 19-vjeçar u akuzua për vrasjen e dy fëmijëve dhe nënës së tyre në një tjetër periferi të Perthit, Ellenbrook. Dy muaj përpara kësaj të fundit, 7 persona u gjetën të vdekur në një pronë private në zonën rurale të Osmingtonit, 280 km në jug të Perthit, duke shënuar edhe vrasjen masive më të rëndë që prej vitit 1996.

Top Channel