Kombëtarja shqiptare zhvilloi paraditen e kësaj të diele seance stërvitore dhe më pas udhëtoi drejt Glasgowt për të zhvilluar ndeshjen e radhës së Ligës së Kombeve atë ndaj Skocisë. Për këtë përballje që do të luhet në ‘Hamden Park’, trajneri Christian Panucci e ka grupin të plotë përveç Eros Grezdës, i cili u largua nga grumbullimi i ekipit ditë më parë për shkak të problemeve fizike.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se trajneri Panucci ka rikthyer në skuadrën kombëtare Ergys Kaçen, i cili mësohet se e mori ftesën e teknikut italian ditën e shtunë për të qenë një alternativë më shumë në skuadër në këtë sfidë me britanikët e drejtuar nga Mcleish.

Kombëtarja shqiptare shkon në Glasgow si skuadra kryesuese e Gruopit 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve pas 3 pikëve të marra në sfidën e së premtes me Izraelin. Në fushën e lojës do të vendosë drejtësinë arbitri Matej Jug. Slloveni ka arbitruar më parë edhe një ndeshje të kombëtares shqiptare atë miqësore me Marokun të zhvilluar në gusht të vitit 2016 kur në pankinën kuqezi ishte trajneri Gianni De Biasi.

Top Channel