Trump kritikon Nike për mbështetjen e Kaepernick, lojtarit që u gjunjëzua gjatë himnit

06/09/2018 10:51

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi kompaninë e veshjeve sportive, Nike, ngaqë përdori Colin Kaepernick si imazhin e fushatës së re të reklamave.

Kaepernick ishte lojtari i parë i NFL që u gjunjëzua gjatë himnit kombëtar për të vënë në dukje padrejtësitë midis racave.

Kritikët e tij nisën të djegin veshjet e Nike në shenjë proteste.

“Nike po dërrmohet nga zemërimi dhe nga bojkotet”, tha Trump.

“Pyes veten nëse ua merrte mendja se do të përfundonte kështu”, shton ai në një postim në Twitter.

Kritikat e Trump erdhën pasi lojtarja e tenisit, Serena Uilliams, (e cila ishte pjesë e fushatës së Nike për 30-vjetorin e parullës “Just Do It”), foli hapur në mbështetje të lëvizjes së kompanisë.

Pasi mposhti Karolina Pliskovën në US Open, Uilliams tha se vendimi për të përdorur Kaepernick-un ishte një shembull i fuqishëm për shumë kompani të tjera.

Ndërsa për Kaepernick, Uilliams tha: “Ai ka bërë shumë për komunitetin afro-amerikan dhe kjo i ka kushtuar shumë”.

Uilliams, fituese e 23 titujve Grand Slam, e cila gjithashtu sponsorizohet nga Nike, shtoi se kur një kompani e madhe e mbështet dikë në një situatë të tillë, e di mirë që do të futet në debate, por ata nuk kanë frikë.

“Është e trishtueshme, por ai vazhdon të japë maksimumin për të mbështetur”, thotë ajo.

Pas fushatës së Nike, Uilliams shkroi në Twitter se ishte tepër krenare që ishte pjesë e familjes Nike.

Basketbollisti Lebron James, gjithashtu ambasador i Nikes, shpalli mbështetjen e tij gjatë një ceremonie çmimesh këtë të martë, duke i thënë publikut: “Unë jam me Nike, çdo ditë.”

Megjithatë, kritikët në mediat shoqërore kanë përdorur hashtaget #JustBurnIt, duke i ftuar njerëzit të djegin produktet e Nike e të bojkotojnë kompaninë.

Nike tha se Kaepernick, i cili nuk kishte mundur të gjente një kontratë që nga Marsi i vitit 2017, ka qenë një nga atletët më frymëzues të këtij brezi.

NFL tha se e mbështesin rolin dhe përgjegjësinë që kanë njerëzit për të promovuar ndryshime pozitive.

Kaepernick, i cili ndoqi fitoren e Uilliamsit ndaj Venusit te Flashing Medous, ka shkruar një ankesë kundër pronarëve të ekipeve në NFL, duke thënë se kanë bërë marrëveshje që të mos lidhin kontratë me të për shkak të protestave.

Por si nisi debati?

Që nga gushti i vitit 2016, sportistë në të gjithë Amerikën ndoqën shembullin e Kaepernick i cili u ul në gjunjë gjatë këndimit të himnit, para se të fillonte ndeshja.

Është detyrë morale e çdo lojtari të qëndrojë në këmbë e me dorën te kraharori, por Kaepernicik e bëri këtë për të protestuar diskriminimin racor, pas ngjarjeve të shumta të trajtimit të padrejtë të njerëzve me ngjyrë nga policia nëpër SHBA.

Kjo solli reagime nga të gjitha anët, pasi Kaepernick tregoi që nuk mund të shfaqet respekt për një flamur e një himn që nuk i mbështet të gjithë nënshtetasit njësoj. Mes atyre që e qortuan ishte dhe vetë Presidenti Trump, i cili u kërkoi pronarëve të ekipeve të NFL t’i shkarkojnë lojtarët që uleshin në gjunjë gjatë himnit.

Kështu, çështja doli jashtë ërmasave fillestare, duke bërë që veprimi i Kaepernick të ndiqet nga shumë e shumë lojtarë të tjerë, ndërkohë  dhe kundërshtimet kanë qenë po aq të zjarrta.

FOTO GALERI
2/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA