“Lega Nord” mund të pushojë së ekzistuari, ndoshta me një emër të ri!

06/09/2018 18:11

“Lega Nord” e ekstremit të djathtë italian mund të detyrohet të ndryshojë emrin dhe të rilindë si një parti e re, në mënyrë që të shmangë konfiskimin e llogarive bankare prej 49 milionë eurosh, me akuzën e një “komploti mashtrimi”.

Një gjykatë në Genova urdhëroi konfiskimin e kësaj shume të partisë së koalicionit bashkëqeverisës me populistët e “Lëvizjes së 5 yjeve”, mbi bazën e hetimeve për një mashtrim të gjerë në lidhje me rimbursimet elektorale mes viteve 2008-2010.

Ky është skandali elektoral më i madh në historinë e një partie italiane, e cila rrezikon tashmë falimentin dhe ndoshta mund të pushojë së ekzistuari.

Hetimi i vitit 2017 çoi në dënimin e themeluesit dhe ish-udhëheqësit të “Lega Nord”, Umberto Bossi, sikurse edhe anëtarëve të tjerë të partisë, mes të cilëve edhe përgjegjësi i thesarit, Francesco Belsito.

Gjykatësit pretendojnë se fondet e rimbursuara nga shteti për zgjedhjet mes viteve 2008-2010 janë shpërdoruar për qëllime personale, si për shembull blerja e diamantëve apo shufrave të arit.

Ndaj Bossit u dha një dënim me 30 muaj burgim (2 vite e gjysmë), duke e detyruar të jepte dorëheqjen si Sekretar i partisë, ndërkohë që vazhdon të përfaqësojë “Lega Nord”-in në Senatin italian, kurse ndaj Belsitos u dha një vendim me 4 vite e 10 muaj burgim.

Këtë të enjte, një gjykatës nga Komisioni i rishikimit në Genova urdhëroi sekuestrimin përfundimtar dhe të përhershëm të të gjitha llogarive bankare të lidhura me partinë, pasi fondet nuk u gjetën në pasqyrat financiare të partisë. “Lega Nord” mendohet të mos ketë rezerva të mjaftueshme për të paguar shumën prej 49 milionë eurosh.

Muajin e kaluar, kreu i “Lega Nord”, Matteo Salvini, i cili është vënë nën hetim pas skandalit me emigrantët e refugjatët e anijes “Diccioti”, tha se “kurrë nuk i ka parë këto parà” dhe vijoi të akuzonte gjyqtarët se po shfrytëzonin pushtetin e tyre për qëllime politike.

Sipas burimeve pranë “Lega Nord”, Salvini po konsideron ndryshimin e emrit të partisë për të shmangur detyrimin për të paguar këtë shumë. “Lega” e themeluar në vitin 1989 do të shuhej së funksionuari si parti, për t’u zëvendësuar në rastin hipotetik nga një parti e re e ekstremit të djathtë.

Salvini, i cili mban edhe postin e ministrit të Brendshëm të Italisë në qeverinë e koalicionit populist, e ka mohuar vazhdimisht në publik opsionin e ndryshimit të emrit, por të premten e kaluar, një zyrtar i lartë i partisë, Giancarlo Giorgetti tha se “nëse gjykata konfiskon paratë, Lega merr fund”.

Burime të tjera të “The Guardian” sugjeruan se partia e re mund të emërohet sipas sloganit të preferuar të Salvinit, “Italianët të parët”. Mes opsioneve të tjera të përmendura nga mediet e shkruara italiane pranë partisë janë edhe “Liga Kombëtare” apo “Liga për Salvinin”.

Top Channel