Kancelarja gjermane Angela Merkel, ai austriak Sebastian Kurz, si dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do të vizitojnë që të 3 këtë javë Maqedoninë, një sinjal i qartë ky i mbështetjes së Perëndimit për referendumin e emrit më 30 shtator.
Nëse vota shkon në favor të marrëveshjes me Greqinë, atëherë ajo do të heqë një pengesë të madhe në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit. I pari mbërrin në Shkup Stoltenberg, për një vizitë dyditore. Shefi i ekzekutivit austriak Kurz e ka caktuar ndalesën e tij të premten, ndërsa Merkeli pritet në Maqedoni të shtunën.
Lexo edhe:
Stoltenberg, vizitë dyditore në Shkup para Kurz dhe Merkel
Ajo do të kthehet në kryetaren e parë të një qeverie gjermane që viziton Maqedoninë në thuajse dy dekada. Mbërritja e Merkelit më 8 shtator përkon gjithashtu me Ditën e Pavarësisë së vendit, kur kancelarja është parashikuar të takohet me udhëheqësit kryesorë, e ndoshta të mbajë edhe një fjalim drejtuar kombit.
Në bazë të marrëveshjes së vulosur me Greqinë këtë verë, pas negociatash të gjata e të mundimshme, Maqedonia pranoi ta ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Në këmbim, Athina do të heqë veton me të cilën i bllokonte vendit fqinj anëtarësimin në NATO dhe BE. Që ujdia historike të arrijë të implementohet plotësisht duhet të marrë më parë mbështetjen e popullit maqedonas, duke grumbulluar më shumë se gjysmën e votave.
Situatën e komplikon qëndrimi i VMRO-së në opozitë, e cila e përshkruan votimin si “kapitullim kombëtar” dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tij.
Top Channel