Animacioni shqiptar është pak i njohur për publikun, megjithatë magjia e filmave imagjinativë të bërë me argjil, vizatim dhe prerje, rikthehet për shfaqe të veçanta për publikun. Duke nxjerrë në pah edhe punën e artistëve të talentuar dhe ëndërrimtarë.
Programi i kinematografisë së viteve ‘90 i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit vjen duke i dedikuar një mbrëmje shumë të veçantë kontributit të jashtëzakonshëm të regjisorëve të filmave të animuar. Stefan Taçi, Rikarda Nova, Artur Dauti, Ergys Faja, Shaqir Veseli, Artan Maku, etj, janë disa prej autorëve të këtyre filmave që sot I shohim me nostalgji.
“Publiku ishte i habitur edhe nga cilësia, por edhe ngaqë nuk i kishte parë dhe më vjen mirë për këtë fakt, sepse edhe publiku thotë pse nuk i shohim, disa nga filmat më të mirë. Për fat të keq po rinë në arkiv. Të paktën mirë që i kemi të ruajtura mirë në arkiv”, u shpreh Stefan Taçi, regjisor.
E vërteta është që këta filma shihen rrallë. Pavarësisht se si gjini konsiderohet ndër më magjiket.
“Në përgjithësi ju them se në të gjitha filmat kemi punuar me shumë përkushtim, me shumë dashuri, si gjithë kolegët në ato vite të vështira madje, kur edhe kostot e tyre ishin shpesh edhe minimale. Ne shpesh kemi vënë nga vetja, që nga filmi “Kompozimi”, i cili u shfaq edhe dje, “Fantazisti”, pastaj më vonë janë këto të tjerat”, shton Stefan Taçi.
Puna detaiste për realizimin e një filmi te shkurtër dy ose tre minuta zgjat me muaj, e në varësi të teknikës mund të shkojë edhe një vit.
“Gjatësia e një filmi varet nga minutazhi dhe teknika që ti zgjedh për ta realizuar. Sepse një film me vizatime mund të dojë kohëzgjatje më të madhe, sepse do ulesh në tavolinë të bësh vizatim mbas vizatimi. Filmi me kukulla ndoshta mund të jetë pak më i shkurtër, por prapë harxhion një kohë parapërgatitore për të bërë kukullat. Filmi me plastelinë ndoshta është pak më i shpejtë”, tha Stefan Taçi.
Këto filma janë edhe një mundësi për të ri-kujtuar shpresën e fillim viteve ’90, si dhe të ri zbulojmë së bashku kinematografinë e kësaj periudhe sa domethënëse, aq edhe të panjohur nga publiku shqiptar.
Top Channel