Joachim Löw nuk mund të gjente fjalë më të përshtatshme për të mbyllur në mënyrë përfundimtare diskutimin rreth lamtumirës së Mesut Özil nga kombëtarja e Gjermanisë: E mbylli vet derën!

Trajneri gjerman përjashtoi edhe njëherë mundësinë e rikthimit të mesfushorit të Arsenalit, gjatë një interviste për “Sport Bild”, duke kujtuar se “Mesuti nuk e ka telefonuar, edhe pse ai ka tentuar disa herë gjatë javëve të fundit, përmes mesazheve dhe telefonatave”.

“Ai ka marrë një vendim të tijin dhe unë duhet ta pranoj”, tha Löw.

Tashmë, trajneri që e ngjiti Gjermaninë në majën e botës në vitin 2014 do të duhet të bëjë pa talentin e “turkut” që u vetëpërjashtua pas eliminimit të bujshëm në Rusi 2018, për shkak të kritikave që mori pas fotos së bërë me presidentin Recep Tayyip Erdogan në muajin maj.

Në korrik, Özil akuzoi presidentin e Federatës gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel për “paaftësi” dhe kishte shkruar qartë në rrjetet sociale se nuk do të rikthehej me kombëtaren për sa kohë ekzistonte një “ndjenjë racizmi dhe mungesë respekti” përkundrejt tij.

Nga ana e tij, Löw ka dashur t’i japë fund kësaj çështjeje. “Sipas meje, Mesut Özil ka shpjeguar në mënyrë të qartë tërheqjen e tij dhe me këtë veprim e ka mbyllur vet derën. Rikthimi nuk është aspak në diskutim”.

Gjithsesi, kontributin e ish-lojtarit të Realit të Madridit në aspektin teknik nuk e mohon.

“Ishte një nga lojtarët e mi për 9 vite, gjatë të cilave ka pasur shumë arritje dhe pak dështime. Mbi të gjitha kemi fituar Kupën e Botës dhe kjo do të mbetet gjithnjë në histori. Mendoj ende se ai është një nga lojtarët më të mirë që Gjermania ka pasur në 30 vitet e fundit”, përfundoi Löw.

Top Channel