Pas 31 vitesh te Milani, Silvio Berlusconi e Adriano Galliani mund të ndërmarrin së bashku një tjetër aventurë në botën e futbollit.

Binomi drejtues që e bëri të famshëm klubin kuqezi duke e vendosur mes më të mirëve evropiane, kanë shfaqur interesin për të blerë Monzën, skuadër që aktivizohet në Serinë C italiane. Kjo hipotezë është ngritur nga disa burime dhe është mëse e besueshme duke qenë se blerja e këtij klubi është një ëndërr e vjetër e Galianit, i cili ka qenë zëvendëspresident i Monzës në sezone 1984/85 dhe 1985/86 përpara se të kalonte te Milani.

Presidenti aktual i skuadrës së Monzës është Nicola Colombo, djali i Felice Colombos që në periudhën 1977-1980 ka qenë në krye të Milanit.

Nicola Colombo bëri të mundur që të shpëtojë skuadrën e Monzës nga falimentimi në vitin 2015 dhe dëshira e tij është që të mbajë ende një kuotë të vogël aksionesh të klubit, nëse do të vijë oferta konkrete e Berlusconit e Gallianit për blerjen e Monzës, madje nuk përjashtohet mundësia që ai t’ia shesë të gjitha aksionet e tyre ish dy drejtuesve më të lartë të Milanit. Burime pranë Silvio Berlusconit kanë bërë të ditur se ideja ekziston, por nuk ka asgjë të përfunduar e të firmosur.

Top Channel