Të premten, kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë të Nations League ndaj Izraelit, në “Elbasan Arena”.

Kuqezinjtë tashmë kanë nisur përgatitjet e tyre për këtë ndeshje, por duket se hija e miqësoreve të fundit të saj ka mbetur ende. Sulmuesi Bekim Balaj deklaroi se skuadra nuk duhet gjykuar nga këto ndeshje.

“Jemi në ndeshje zyrtare dhe trajneri ka bërë zgjedhje të tjera. Jemi një grup që e njohim mirë njëri-tjetrin. Jemi gati për 2 ndeshjet e radhës. Nuk duhet gjykuar skuadra nga miqësoret e fundit. Kombëtarja do të kthehet. Shpresoj të jem pjesë e formacionit, por kushdo që të luajë, do të japë maksimumin”, u shpreh Balaj.

Në kombëtaren shqiptare është rikthyer edhe Ledian Memushaj, me vlonjatin që nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij: “Jam i kënaqur për rikthimin në skuadrën kombëtare. Me Izraelin na pret një ndeshje shumë më e vështirë sesa ajo e radhës së kaluar. Diferencën në skuadrën tonë përfaqësuese e bën grupi, pasi nuk kemi në përbërje individualitete si Ronaldo apo Messi”.

Top Channel