Kapen me heroinë dhe armë zjarri, tre të arrestuar në kryeqytet

04/09/2018 09:23

Dy persona u arrestuan nga policia e Tiranës, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim nën akuzën e shitjes së drogave të forta në disa zona të kryeqytetit.

Luan Çela 44 vjeç dhe Romeo Ramadani 32 vjeç u arrestuan, teksa u kapën me një sasi prej 2.5 kilogramë heroinë, ndërsa personi me inicialet A.D. është shpallur në kërkim.

Policia në bazë të informacioneve në rrugë operative ndërmori një operacion me agjentët antidrogë në rrugën “Kujtim Laro”. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me targë AA 821 OG, me drejtues shtetasin Luan Çela dhe pasagjer Romeo Ramdanin policia gjeti një qese brenda të cilës ndodhej një kuti me 5 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 2.5 kilogramë heroinë e gatshme për t’u shitur në lokalet e natës, apo zona të tjerë të Tiranës.

Edhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e shtetasve Luan Çela dhe Romeo Ramadani janë gjetur përsëri një sasi e dyshuar lënde narkotike dhe municion luftarak. Përvec sasisë së drogës, policia sekuestroi një automjet, dy armë, 61 fishekë nga të cilët 45 ishin fishekë manovre, si dhe një palë dylbi.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në zonën e “Astirit” u bë arrestimi në flagrancë 39-vjeçarit Mario Menga. Bëhet e ditur se këtij të fundit iu gjet një armë zjarri tip pistoletë pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Top Channel