Pas polemikave të shkaktuara prej urdhrave të skuderisë ndaj Bottasit, për të favorizuar Hamiltonin, Luca Cordero di Montezemolo i del në mbrojtje Mercedesit.

“Mund t’iu them se, kur unë isha president kemi fituar edhe kampionate në këtë mënyrë”, është shprehur ish-numri një i Ferrarit për “BBC Sport”.

“Kjo është pjesë e historisë dhe Bottas nuk ka bërë asgjë të gabuar. Do të bëja të njëjtën gjë edhe unë”, vijon më tej Montezemolo.

Më pas vjen edhe një kritikë e ashpër ndaj Ferrarit.

“Në jetë është e vështirë të fitosh gjithmonë, por është edhe më e vështirë të pranosh kur je humbës”.

Në intervistën për medien britanike, Montezemolo ka nënvizuar sesi lojërat e skuadrës kanë qenë gjithnjë fundamentale për të sjellë “në shtëpi” rezultatet e duhura përgjatë historisë së Formulës 1.

“Kur isha president dhe shef ekzekutiv i Ferrarit kemi fituar kampionate në këtë mënyrë. Me Kimi Raikkonenin dhe Felipe Massën, me Michael Schumacherin dhe Rubens Barrichellon, por edhe me Schumin dhe Eddie Irvine”, shpjegon ish-presidenti.

“Nëse do të isha ende përgjegjësi kryesor i Ferrarit, në të njëjtat kushte si ato të Mercedesit në garën e Monzës, do të kisha bërë ekzaktësisht të njëjtat zgjedhje. Kështu që t’i japim fund këtij debati”, thotë më tej ai.

Kritika drejtuar Ferrarit duket që ka një shënjestër të caktuar: Maurizio Arrivabenen.

“Kam dëgjuar dikë të lëshojë kritika. Kjo është normale, sepse në jetë është e vështirë të fitosh, por është edhe më e vështirë të pranosh kur nuk arrin të fitosh. Kështu që të dielën isha i kënaqur me atë çfarë pashë, edhe nga ana e publikut”, thotë Montezemolo.

Edhe pse, në fakt, një mesazh e ka edhe për publikun, i cili u tregua shumë pak “sportiv” në fundin e garës.

“Lewis është një kampion i madh, ka qenë gjithmonë korrekt dhe ka bërë një garë fantastike. Ajo që ndodhi ishte shumë e shëmtuar dhe jam me të vërtetë i irrituar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA