Amazon është bërë kompania e dytë më e vlefshme sipas “Wall Street”, duke kaluar vlerën e një trilion dollarëve, vetëm pak javë pasi këtë rekord e arriti për herë të parë në histori kompania Apple.
Të martën, një rritje e beftë e çmimit të aksioneve të Amazon, e cila është e listuar në bursën “Nasdaq” të Shteteve të Bashkuara, e bëri atë të kalonte mbi limitin e pakapshëm deri pak javë më parë të një trilion dollarëve, vlerë të cilën e ruajti në mënyrë të brishtë deri pasditen e sotme.
Arritja e kësaj vlere shënon edhe kapitullin e fundit në historinë e mahnitshme të rritjes së kësaj kompanie, të themeluar nga biznesmeni Jeff Bezos në Seattle të Uashingtonit në vitin 1994.
Lexo edhe:
Apple “mposht” Amazon dhe vendos rekordin historik në treg
Në më pak se 25 vite, kompania ka siguruar një prani të ndjeshme në thuajse gjithçka: nga shitjet me pakicë te artikujt ushqimorë, e deri te transmetimet video, duke bërë që ajo të sigurojë të ardhura deri në 178 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Bezos u bë njeriu i dytë më i pasur në botë përgjatë kësaj historie suksesi, me një pasuri të përllogaritur në mbi 167 miliardë dollarë këtë të martë, sipas revistës prestigjioze “Forbes”.
Amazon u kuotua për herë të parë në bursë me një vlerë prej 18 dollarë për aksion në vitin 1997, ndërkohë që këtë të martë, aksionet kanë kapur vlerën e 2.050 dollarëve secili, gjë që e rrit vlerën e kompanisë në mbi një trilion dollarë.
Por, rritja e shpejtë e kompanisë ka ardhur mes kritikave të ashpra mbi qasjen e kompanisë ndaj taksave dhe të drejtave të punonjësve. Amazon ka qenë në një konkurrencë të ashpër me Apple për arritjen e këtij rekordi historik prej muajsh, por humbi garën kur tregjet financiare u përgjigjën në mënyrë më favorizuese ndaj rezultateve financiare të Apple të muajit të kaluar.
Të dyja kompanitë kanë tashmë një vlerë tregu prej mbi një të tretën e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar, apo e thënë ndryshe më të madhe sesa ekonomitë e Turqisë dhe Zvicrës.
Top Channel