Inspektorët kërkojnë ryshfet. E pohojnë 23% e bizneseve që u anketuan

03/09/2018 21:31

Janë të paktë pronarët e bizneseve që pohojnë para kamerave se inspektorët që u shkojnë për kontroll u kërkojnë ryshfet. Ndërkohë, një sondazhi për këtë çështje iu përgjigjën rreth 600 biznese, nga 20 000 që u shkoi pyetësori. 23% e të anketuarve pranojnë që u kërkohet ryshfet.

Pronarët kanë frikë të shprehen nëse inspektorët marrin ryshfete gjatë kontrolleve të bizneseve. “Po folëm, nesër i ke këtu”, shprehen jashtë kamerave ata.

“Ka inspektorë më shumë, se punë s’ka fare”, shprehen pronarët.

Ndërkohë që sipas pyetësorit të realizuar “online” nga Ministria e Sipërmarrjes, rezulton se 23% e bizneseve kanë pohuar se inspektorët e agjencive dhe inspektorateve të ndryshme u kanë kërkuar ryshfet gjatë kontrollit. Ndërsa 77% të tjerë e rrëzojnë këtë akuzë.

Një prej tyre është edhe pronari i një biznesi të vogël, Bashkim Mane: “Tani, të them atë që është, nuk më kanë rënë në qafë, por herë pas herë, sipas programit që kanë, kanë ardhur, kanë verifikuar të gjithë dokumentacionin dhe janë larguar. Nuk kanë marrë rryshfet”.

Nga 20 mijë biznese që u është dërguar pyetësori, vetëm 587 prej tyre janë bërë pjesëmarrës, ku 40.5% e tyre mendojnë se procesi i inspektimit duhet të jetë i bazuar në rrezikun që paraqet biznesi. 26.3% të tjerë shprehen se inspektimi duhet të kryhet kur ka një sinjalizim për parregullsi, ndërsa 21% deklarojnë se inspektorët duhet të kontrollojnë kur konstatojnë dëm ndaj njerëzve.

Gjithashtu, bizneset pohuan se vetëm në 66.8% të rasteve inspektorët janë të pajisur me autorizimin përkatës. Si dhe rezulton se në 56.5% të rasteve inspektorët janë të prirur të vendosin gjoba apo të kryejnë pezullime, ku sipas bizneseve, gjobat në shumë raste janë shumë të larta në raport me shkeljet e gjetura.

Po denoncimi i akteve korruptive sa efektiv është? 23% e bizneseve pohojnë në pyetësor se nuk ia vlen raportimi pranë institucioneve të drejtësisë dhe 17% të tjerë shprehen se nuk kanë pasur rezultat pozitiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA