Nga Margaret Coker, Hwaida Saad and Carlotta Gall (New York Times) – Në terren, qeveria siriane po grumbullon mijëra rekrutë për të forcuar forcat e saj të dobësuara. Në det, një flotilje detare ruse është shumë pranë brigjeve, gati për të ndërhyrë me një forcë të jashtëzakonshme në rast nevoje. Ndërkohë, në provincën e Idlibit, miliona civilë i frikësohen asaj që mund t’iu ofrojë e ardhmja e afërt.

Palët ndërluftuese në luftën civile tejet të gjatë dhe të pamëshirshme po përgatiten për një tjetër ofensivë brutale, e ndoshta kjo mund të jetë e fundit.

Sulmi kanosës në provincën e Idlibit është ajo që qeveria në Damask shpreson t’i japë goditjen e fundit ushtarake luftëtarëve rebelë dhe mbështetësve të tyre mes civilëve, të cilët u ngritën mbi 7 vite më parë me kërkesën për ndryshimin e regjimit.

Por, aty ku Siria dhe aleatët e saj, Rusia e Irani, shohin një mundësi për të rrëmbyer kontrollin e pozicioneve të fundit të rebelëve, udhëheqësit perëndimorë paralajmërojnë për një fatkeqësi humanitare në Idlib, ku besohet të jetojnë rreth 3 milionë civilë.

Shumë prej civilëve të gjendur tashmë në Idlib janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, duke ia mbathur brutalitetit të forcave qeveritare të presidentit Bashar al-Assad. Dhjetëra mijëra madje u zhvendosën atje me autobusë, si pjesë e marrëveshjeve për dorëzim me qeverinë.

Ofensiva e afërt qeveritare, ndaj atyre që besohet të jenë rreth 30 mijë luftëtarë rebelë, është një “stuhi perfekte që po shfaqet para syve tanë”, tha i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura.

Turqia gjithashtu ka shprehur shqetësim të thellë mbi sulmin, mes frikës se do të mbajë barrën e fatkeqësisë humanitare dhe të sigurisë. Ankaraja ka dërguar trupa në terren në Idlib, me synimin për të ndarë forcat siriane nga ato rebele, por ushtarët turq mund të gjenden në mesin e stuhisë ofensive. Turqia aktualisht mban mbi 3 milionë refugjatë nga lufta civile, e duke pasur parasysh krizën ekonomike dhe pakënaqësinë në rritje kundër sirianëve që ka në vend, vështirë se do të pranojë të tjerë.

Gjatë vizitës së fundit në Moskë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu bëri thirrje për më shumë kohë ndaj një plani turk për negociata me rebelët në Idlib, përfshi edhe grupet islamike radikale.

“Një zgjidhje ushtarake do të ishte fatkeqësi për atë vend”, tha Cavusoglu në një konferencë për shtyp, teksa qëndronte në krah të homologut të tij rus, Sergey Lavrov. “Të sulmosh Idlibin në tërësi për të eliminuar disa grupe radikale do të thotë të shkaktosh vdekjen e qindra mijëra njerëzve, e t’i lesh të pastrehë rreth 3.5 milionë njerëzit që jetojnë atje, sërish”, shtoi Cavusoglu.

Përgjatë dy viteve të fundit, ushtria siriane, falë mbështetjes së fuqishme nga Rusia dhe Irani, ka marrë kontrollin e zonave të tëra të territorit të vendit. E teksa shumica e vendit është futur në “shinat” e forcave qeveritare, ato mund ta kthejnë vëmendjen bindshëm në Idlib.

Nëse qeveria do t’ia dalë me sukses të marrë provincën, bastioni i fundit i madh i rebelëve, fitorja do të shënonte në thelb fundin e opozitës së armatosur brenda Sirisë. Por, vështirë se do të sinjalizonte fundin e konfliktit apo vuajtjeve të shkaktuara prej saj.

Rreth një e katërta e vendit do të vijonte të ishte jashtë kontrollit qeveritar, ndërsa kontrolli i rivendosur në disa zona është ende i diskutueshëm, pasi kryengritësit e armatosur janë ende të aftë të ndërmarrin sulme të vogla. Duke parë rrënimin infrastrukturor, miliona njerëz të zhvendosur dhe kontrollin e kurdëve në territorin në lindje të lumit Eufrat, lufta siriane mund të dojë ende shumë kohë për t’u zgjidhur, edhe nëse Idlibi bie në duart e qeverisë.

Mposhtja e forcave rebele në Idlib pritet të “zyrtarizojë” barrën shkatërrimtare të viktimave mes civilëve, të cilët kanë duruar vuajtje nga më mizoret që prej shpërthimit të konfliktit në vitin 2011 në Siri. Më shumë se 350 mijë njerëz janë vrarë, ndërsa mbi 11 milionë kanë braktisur shtëpitë e janë larguar.

Sulmi mbi Idlib do të ishte një “katastrofë e vetme mbi një luftë katastrofike”, sipas grupit “Soufan”, një kompani me seli në Nju Jork që ofron analiza sigurie për qeveritë dhe organizatat.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo paralajmëroi për një katastrofë të shkallës së gjerë mbi civilët në Idlib. “Tre milionë sirianët që janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe strehohen tashmë në Idlib do të pësojnë edhe më shumë nga ky agresion”, shkroi ai në Tëitter gjatë së premtes. “Aspak mirë. Bota po vëzhgon!”.

Në një tjetër postim të së njëjtës ditë, Pompeo ftoi homologun e tij rus të mos mbështeste ofensivën e ardhshme.

“Sergey Lavrov po mbron sulmin siriano-rus mbi Idlib, – shkroi ai. – Rusët dhe Assad ranë dakord të mos e lejonin këtë. Shtetet e Bashkuara e shohin këtë si përshkallëzim të një konflikti edhe kështu siç është tejet i rrezikshëm”.

Departamenti i Shtetit paralajmëroi gjithashtu të premten, përmes një deklarate, se “Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjeshin në mënyrë proporcionale ndonjë sulmi me armë kimike nga regjimi sirian”.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, zyrtarët sirianë e rusë u panë gjatë fundjavës të përgatisnin hapur goditjen e forcave rebele, ende aktive në provincën në fjalë.

E ndërsa qeveria duhet ende të deklarojë një datë fillimi për ofensivën, ushtria siriane ka dërguar mijëra forca tokësore, si dhe dhjetëra njësi të blinduara përgjatë kufirit jugor me Idlibin.

Në fundjav, Rusia nisi edhe stërvitjen e fuqishme detare në Mesdhe, vetëm pak qindra milje nga linjat e mundshme të frontit, duke përfshirë 26 luftanije dhe mjete mbështetëse, sikurse edhe 36 avionë, përfshi bombarduesit strategjikë.

Edhe pse Rusia ka mohuar që këto manovra janë të lidhur me betejën e mundshme në Idlib, zyrtarët rusë kanë pasur një ton vrasës kur kanë folur mbi nevojën e ndërhyrjes në provincë. Lavrov, javën e kaluar e përshkroi Idlibin si një “ezkemë” që duhej të thahej.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të takohet me homologët rusë e iranianë, Vladimir Putin dhe Hassan Rouhani, këtë të premte për të diskutuar mbi Sirinë, në raundin e fundit të diskutimeve të tyre mbi këtë temë në atë që njihet edhe si “Procesi i Astanës”. Takimi pritet të jetë i fundit përpara një ofensive të mundshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA