“US Open”, eliminohet Kerber për femra, kalojnë Federer e Djokoviç

02/09/2018 12:09

Surpriza e radhës në turneun “US Open” u regjistrua sërish në garimin e femrave. Angelique Kerber, që është numri 4 i botës, u eliminua në raundin e tretë në turneun njujorkez nga Cibulkova.

Tenistja sllovake arriti të fitojë ndaj gjermanes 2-1, në një ndeshje që u duk sikur ishte në kontrollin e Kerber. Kjo e fundit fitoi në fakt setin e parë 6-3, por më pas gjeti kundërpërgjigjen e Cibulkovës, e cila fitoi dy setet e tjerë me rezultat të njëjtë 6-3, duke prerë biletën për në 1/8-at e finaleve.

As Maria Sharapova nuk gaboi, e tashmë e sheh veten mes 16 më të mirave të turneut. Tenistja ruse mundi në raundin e tretë letonezen Jelena Ostapenko, me rezultatin 2-0. Ajo e djeshmja ishte një sfidë ku Sharapova duket se nuk e vuri në asnjë moment në dyshim fitoren, duke i mbyllur setet me rezultatin 6-3 dhe 6-3. Kundërshtarja e radhës së Sharapovës do të jetë spanjollja Carla Suarez Navarro, që eliminoi francezen Caroline Garcia.

Për meshkuj, Roger Federer dhe Novak Djokoviç vijojnë aventurën e tyre në “Flushing Meadows”. Tenisti zviceran kaloi në 1/8-at e finaleve pasi mundi në raundin e tretë Nick Kyrgios. Në moshën 37-vjeçare, Federer e zgjidhi shumë lehtë përballjen me Kyrgios, duke e mbyllur atë me rezultatin 3-0, me sete 6-4, 6-1 dhe 7-5.

Ndërkohë, Novak Djokoviç kaloi mes 16 më të mirëve të turneut pasi eliminoi francezin Richard Gasquet. Tenisti serb shpenzoi 2 orë e 11 minuta lojë në këtë sfidë, të cilën e fitoi me rezultatin 3-0 me sete 6-2, 6-3 dhe 6-3. Djokoviç do të përballet në raundin tjetër të “US Open” me portugezin Sousa për të siguruar kalimin në çerekfinale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA